Me 2 paketa cigare në qeli, Arben Micit ju gjet një çakmak me të cilin dogji dyshekun

Futja e dy paketave me cigare dhe një çakmaku në qelitë e komisariatit nr 5 është bërë shkak për zjarrin që shkaktoi vdekjen e të arrestuarit Arben Mici, 26 vjeç. Ky i fundit ishte i sëmurë, madje ishte vizituar në qeli edhe nga mjeku që kishte lënë detyra për trajtimin e tij për shëndetin mendor. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për të nxjerrë personat përgjegjës për ngjarjen.

Lejimi i sendeve të ndaluara në qelitë e izolimit në komisariatin nr 5 të policisë në Tiranë ka qenë shkaku i zjarrit që shkaktoi vdekjen e 26-vjeçarit Arben Mici.

Ai është lejuar të mbajë në qeli dy paketa cigare dhe një çakmak me të cilin i vendosi flakën dyshekut.

Arben Mici, u gjet i pajetë në tualetin e dhomave të shoqërimit, ndërsa gjatë kontrollit fizik të trupit, u gjet një çakmak me mbishkrimin “Bic” dhe dy paketa me 9 cigare.

Ndërsa brenda në dhomën e izolimit ku mbahej i arrestuari, policia gjeti dhe sekuestroi 6 filtra duhani në dysheme dhe 6 filtra të tjera të futura në një bidon 1.5 litërsh.

“Ora News” ka siguruar dosjen e prokurorisë së Tiranës për ngjarjen ku thuhet se vetëm pak orë pasi dy të arrestuarit Arben Mici dhe Dilaver Idrizi, kishin mbëritur në komisariat nga gjykata e Tiranës, e cila kishte vendosur për ta masën e sigurisë “arrest në burg”.

Në dokument thuhet se zjarri është shkaktuar në dhomën ku qëndronte i arrestuari Mici, i cili fillimisht ka çarë dyshekun e tij, duke nxjerë copa të vogla sfungjeri, të cilat i ka grumbulluar në cepin e qelisë së tij, ku dhe i ka vënë zjarrin.

Më më pas, ka krijuar dhe një vatër të dytë zjarri, duke djegur dyshekun, batanijen dhe jastëkun.

Sipas dëshmisë së njërit prej punonjësve të policisë, Mark Marashi, ka treguar se "me Arben Micin dhe Dilaver Idrizin, kam biseduar për herë të parë në datën 23 Mars 2022 rreth orës 08:30, kur kam shkuar dhe kam kontrolluar dhomat. I kam pyetur nëse kishin probleme shëndetësore dhe nëse kishin njoftuar familjarët, dhe të dy më kanë mohuar. Më vonë, Arben Mici, më tregoi se kishte qënë i shtruar në psikiatri dhe merte mjekim, të cilat ia ka sjellë e ëma. Në bisedë me nënën e Arben Micit, e kam pyetur nëse kishte ndonjë dokument për gjendjen psikike të djali, por ajo më deklaroi se nuk kishte asnjë dokument.

Aty ka ardhur edhe mjeku i Drejtorisë së Policisë Tiranë, i cili i ka vizituar dhe kontrolluar ilaçet e tyre, duke plotësuar dhe kartelat shëndetësore. Në ditët në vijim nuk patën asnjë problem. Të dhënat mbi problemet shëndetësore të tyre, u janë lënë porosi shërbimeve dhe për çdo problem të njoftonin oficerin e rrojes.Në dijeni time, Arben Mici, ishte duhan pirës, pasi një fakt të tillë ma tha një punonjës policie që kryente shërbim tek dhomat e shoqërimit. Por në ambjentet e brendshme të qelisë nuk lejohet. Të ndaluarit mund të konsumojnë ndonjë cigare në një ambjent ajrimi dhe në praninë e shërbimit policor”.