Negociata për sigurinë kibernetike, opozita kundër: Projektligji që është sjellë nga qeveria antikushtetues

Rreth 1 vit pas skandalit të patronazhistëve dhe disa muaj pas publikimit të pagave dhe të dhënave personale, qeveria kërkon leje nga Parlamenti për të zhvilluar negociata me kompaninë ‘Jones Group International’ për sigurinë kibernetike.

Drafti ngjalli debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, të cilët deklaruan se procedura e propozuar nga qeveria është antikushtetuese.

 “Është e patolerueshme sidomos në këtë këtë periudhë që të përdoret autoriteti i parlamentit në procedura te errëta të paqarta, në tejkalim te rregullave ligjore qe kjo republike i ka. Projektligji që është sjellë nga qeveria është antikushtetues, është projektligj special, bie ndesh me Kushtetutën.”

Kryetarja e Komisionit, Klodilta Bushka argumentoi se për këtë procedurë do të ketë një kontratë të veçantë si rasti i Skavicës.

“Bëhet fjalë për të nisur një procedurë të veçantë që ne të kemi një marrëdhënie direkte të së drejtës amerikane që është kompani private. Nuk do i nënshtrohemi rregullave  të përgjithshme të prokurimit publik, por do kemi një kontratë të veçantë, si rastin e Skavicës.”

Ndërkohë, deputeti Fatmir Mediu solli rastin e skandalit të pagave për të mbështetur nevojën e një negocimi të tillë.

“Ne patëm një problem para disa muajve nëse ju kujtohet. Dalja e të dhënave personale, që pavarësish se ne nuk na bën përshtypje, është një problem jashtëzakonisht shumë i madh.  Ne nuk e kemi vuajtur një sulm të qenësishëm kirbenetik, por kjo nuk do të thotë që ne nuk jemi më të ekspozuar. Çdo gjë është emergjencë nga pikëpamja e sigurisë.”

Tashmë projektligji i diskutuar në komisionin e  ligjeve do të duhet të kalojë në votimin në seancë plenare. Nëse nisma miratohet atëherë qeveria do të ketë të drejtën të negociojë për ofertën dhe kushtet e tjera të sigurisë, ku për të dhënat do të ndihmojë AKSHI.