"E çuam ta ruanim, na erdhi i vdekur", Familja e 26 vjeçarit kërkon drejtësi: Pse vdiq Arbeni në qeli
Familja e 26 vjeçarit i cili humbi jetën në ambientet e komisariatit nr 5 në Kamëz janë të tronditur për humbjen e djalit të tyre dhe kërkojnë drejtësi.
"Ne e çuam për ta mbrojtur e shpëtuar jo për të na e sjellë të vdekur” thotë i vëllai Xhevahir Bici në një prononcim për mediat.
Në shtëpinë e tyre në fshatin Çekrez është hapur zija.
Sipas tyre viktima mjekohej prej 4 vitesh dhe denoncimi në polici pasi dhunoi nënën, është bërë për ta dërguar në spital dhe jo në qelitë e burgut.
Vëllai tregon se Arbeni ishte shoqëruar disa herë tek spitali psiqiatrik dhe ditën e arrestimit në fakt qëllimi i tyre nuk kishte qenë prangosja por shoqërimi në spitalin e burgut pasi spitali psiqiatrik refuzonte ta mbante sërish.
“Unë e çova ta ruaja. Ai është shoqëruar disa herë tek spitali psiqiatrik, 17- 18 herë. . Ata nuk e mbajtën më se bëri shumë kohë. Nuk kishim cfarë ti bënim më se nuk mbahej dhe donim ta fusnim në spitalin burgut por ata e kanë arrestuar”
Vëllai i vikimës shton se dononcimi në polici u bë me mendimin se 26-vjeçarin do ta dërgonin në spitalin e burgut, pasi një i sëmurë nuk mund të mbylljet në qeli siç ka vendosur gjykata ku ai është përfaqësuar me një avokat të caktuar kryesisht.
"Na tha doktori duhet ti bësh denoncim që t'ja kalojmë në spitalin e burgut se nuk kemi të drejtë ta kalojmë. E bënim kërkesën dhe nuk na e merrnin parasysh. E çuam për ta mjekuar."
Xhevahiri tregon se institucionet ishin në dijeni të problemeve që i riu kishte me shëndetin mendor.
" I kam vënë unë policët në dijeni. Merreni dhe çojeni në spital të burgut."
Xhaxhai i 26-vjeçarit bën përgjegjëse policinë e shtetit për vdekjen e nipit.
"Duhet të ishte kontrolluar nga policia për shkrepëse, jo fute dhe lërë aty në mëshirë të fatit. Kanë gabime shumë."
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 9 të datës 26 Mars në një nga qelitë e komisariatit nr.5 ku mbahej Arber Mici, i cili ishte arrestuar për dhunë ndaj nënës dhe i Dilaver Idrizit i arrestuar për dhunë ndaj bashkëshortes, i cili u asfiksua bashkë me një punonjës policie.
Në momentin e arrestimit kur inspektori e kishte pyetur nëse kishte komunikuar me familjarët ai kishte treguar se kishte qenë i shtruar në psikiatri dhe merrte mjekim të cilat ia ka sjellë e ëma.
Oficeri ka pyetur dhe të ëmën nëse kishte ndonjë document për gjëndjen psikike të djalit por ajo I kishte deklaruar se nuk kishte asnjë document.
Në ambientet e brendshme të qelisë nuk lejohet duhani. Të ndaluarit mund të konsumojnë ndonjë cigare në ambjentet e ajrimit dhe në prani të policisë.

