Balla: Shqipëria do ketë një President/e shumë më të mirë dhe të pakrahasueshëm me Ilir Metën
Partia Socialiste nuk do të presë datën 24 maj për të nisur zgjedhjen e presidentit të ri.
Në mbledhjen e grupit parlamentar është kërkuar paraqitja e emrave dhe përgatitja për ta futur kërkesën në axhendën e Kuvendit.
Konsultime do të zhvillohen me opozitën dhe shoqërinë civile. E për këtë janë ngarkuar tre përfaqësues për të bërë negociata.
Balla: Bashkë më mua si kryetarë për grupin parlamentar do të jetë edhe kolegia Elisa Spiropali dhe kolegu im Damian Gjiknuri.
Për mediat Taulant Balla u shpreh se nuk bën asnjë përjashtim nga diskutimet duke shigjetuar edhe situatën në selinë blu.
Balla: Në kuvendin e Shqipërisë nuk ka një grup parlamentar që është quajtur grupi parlamentar i rithemelimit se çfarë ndodh brenda grupeve parlamentare është çështje e brendshme e tyre".
Balla akuzoi edhe një herë Ilir Metën për njëanshmëri politike, ndaj deklaroi se do të ketë një format ndryshe të Presidentit.
Balla: Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë për një President normal. Duke qenë se nuk kemi pasur gjithë këto kohë President mbi palët por palë e palëve. Shqipëria për fat të keq Presidentin e fundit në detyrë e ka një president që në asnjë moment nuk ka qenë një president as mbi palët por një palë mes palëve, të palëve të opozitës. Ajo që na duhet ne është që Shqipëria në 2022 të zgjedhë një president që të jetë në aspektin diametrik të kundërt me atë që përfaqëson dhe ka përfaqësuar Ilir Meta. Shqipëria në 2022 do të ketë një president ose presidente shumë më të mirë dhe të pakrahasueshëm me presidentin që i mbaron mandati me 24 korrik.
Sipas Kushtetutës Presidenti zgjidhet në 5 raunde, ku në tre të parat duhen 84 vota të cilat Partia Socialiste nuk i ka.
Ngërçi, nëse nuk do të ketë konsensus zgjidhet në raundin e katërt dhe të pestë ku mazhorancës i duhen vetëm 71 kartona pro.
Sa i takon ndryshime të mundshme në qeveri të përfolura në media, Balla tha se nuk kanë qenë pjesë e diskutimeve në mbledhje.
Balla: Në fillim i lëshoni vetë lajmet dhe pastaj mundoheni ti verifikoni te nbledhjet e grupit parlamentar, kryesisë së PS.Nuk ka qenë çështje për diskutim në mbledhjen e grupit tonë parlamentar.
