Speciale e Rtv Ora/ Expose, ekspozita ndryshe e Muzeut Kombëtar të Fotografisë "Marubi"
Një ekspozitë krejt ndryshe u çel në mjediset e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Këtë herë jo me fokus ekspozimin e imazheve, por duke nxjerr në pah objekte me të cilat kanë kryer proceset e punës pinjollët e kësaj dinastie.
Vizitorët u vunë përballë një raporti fizik-emocional që i ktheu pas në kohë, 1 shekull më parë, atëherë kur nisi punën kjo studio.
Brenda këtij laboratori ku kryhet i gjithë proçesi i realizimit të një fotografie, shumë shpejt do të nisin edhe punëtoritë me brezin e ri, për të kuptuar ne detaje atë që ndodhte asokohe për realizimin e fotografisë, krejt ndryshe me proceset e sotme digjitale.
Bashkë me aparaturat e kohës, solucionet, vaskat për larjen e fotove, kutitë e ruajtjes së negativëve, kornizat etj, publikut ju prezantuan edhe disa imazhe të Gegë Marubit dhe pasardhësve të kësaj familje, në momente pune brenda mjediseve të studios, aty ku u fiksuan personazhe dhe ngjarje të rëndësishme për kohën.
