Broja titullar, ja si do të rreshtohet Shqipëria ndaj Spanjës në Barcelonë
Edy Reja u shpreh gjatë konferencës për shtyp se ditën e ndeshjes do të vendosë dhe për formacionin e kuqezinjve për miqësoren me Spanjën. Këta të fundit, nisur dhe nga fjalët e Luis Enriques, do ta marrin seriozisht ndeshjen duke mos e quajtur një miqësore ndaj dhe kundërpërgjigja e Rejës është të zbresë në fushë me 11-shen më të mirë.
Duke e konsideruar të tillë, më i miri padyshim është Armando Broja dhe do të jetë nga minuta e parë në “RCDE Stadium” për të udhëhequr sulmin e Shqipërisë dhe në krah të tij është përzgjedhur Myrto Uzuni. Ky i fundit po luan në Spanjë dhe e njeh mirë tashmë futbollin dhe intensitetin e iberikëve.
Për ta nisur nga fillimi, në portë do të jetë Strakosha dhe në mbrojtje treshja fantastike Gjimshiti, Ismajli dhe Kumbulla.
Në mesfushë nga krahët do të jenë Hysaj dhe Ivan Balliu dhe si diga në mesfushë do të jenë Keidi Bare që luan në stadiumin e tij, Gjasula dhe Qazim Laçi.
Sulmi siç e thamë dyshja Broja-Uzuni dhe ky formacion mendohet të jetë më i miri i mundshëm pa harruar që nga stoli mund të vijnë “përforcime” të rëndësishme si Nedim Bajrami, Manaj, Cikalleshi e Vrioni.
Shqipëria;(3-5-2): Strakosha; Gjimshiti, Ismajli, Kumbulla, Hysaj, Bare, Gjasula, Laçi, Balliu, Armando Broja dhe Uzuni./Ora News/.
