Milevski: Absolutisht e mendonim kualifikimin. U argëtuam ndaj Italisë

Më 5 Gusht, Blagoja Milevski erdhi në krye të Maqedonisë së Veriut për të nisur një epokë të re në krye të kombëtares që sapo kishte përfunduar një aventurë historike në Euro 2020. Milevski ka meritën e veçantë për vazhdimin e një ekipi të fortë dhe dje bëri një tjetër arritje historike, duke eliminuar Italinë nga Botërori.

Edhe pse nuk ka prekur ende ëndrrën e Katarit, të eliminosh Kampionët e Europës në shtëpinë e tyre është arritje historike dhe vet trajneri nuk e fshehu lumturinë në konferencën për shtyp.

“Fituam si italianët kundër italianëve, shënuam një gol me dy gjuajtje në portë. Jam shumë i lumtur për këtë fitore, jam krenar për këta djem. Që nga nesër, të gjitha energjitë do të jenë te Portugalia. Dëmtimet nuk janë serioze, të gjithë do të jenë gati për ndeshjen tjetër të playoffit. Do të jetë edhe Elmas i cili do të na japë një ndihmë të madhe”.

Gjithashtu Milevski tha se e kishte përgatitur ndeshjen në mënyrë të tillë siç u interpretua për të goditur në momentin e duhur teksa në fund pohoi pa frikë se e priste një kualifikim të tillë.

“Jam shumë i lumtur për golin e Trajkovskit. Ndeshja ishte përgatitur në këtë mënyrë. E dinim që Italia është një skuadër e madhe me lojtarë të mëdhenj, por ne kemi bërë një ndeshje të madhe dhe ja dolëm në fund. A e prisnim? Absolutisht po, e njohim forcën tonë. Para ndeshjes u kisha thënë djemve që të argëtoheshin dhe në fakt u argëtuan”, tha Milevski në fjalën e tij pas fitores historike./Ora News/.