Luis Enrique: Ja pse ka shumë rëndësi sfida me Shqipërinë, dua sa më shumë tifozë
Asnjë nënvlerësim dhe gjithçka për të fituar është ajo që kërkon Luis Enrique nga skuadra për sfidën ndaj Shqipërisë. Trajneri i Spanjës në fjalën e tij përpara kësaj përballjeje tha se as ai dhe as lojtarët e tij nuk e shikojnë një ndeshje të tillë si një miqësore.
Sa të rëndësishme janë këto dy miqësore ndaj Shqipërisë dhe Islandës?
“As për mua dhe as për lojtarët nuk janë miqësore ndeshjet me Shqipërinë dhe Islandën sepse na kanë mbetur edhe tetë ndeshje për Botërorin dhe nuk kemi data të mbetura. Mundohem të shfrytëzoj sa më shumë kohën që kam dhe për mua ndeshja kundër Shqipërisë është shumë e rëndësishme”.
Çfarë aspiron Spanja në Kupën e Botës?
“Kemi një bllok të rinjsh dhe veteranësh, të cilët mund të përballen me çdo rival. Shpresoj që në Botëror të jemi pretendentë për të arritur në fazën finale të turneut. Ne aspirojmë të konkurrojmë dhe të jemi një rival i fortë”.
Pse nuk keni rinovuar ende me Spanjën?
“Nuk kam vendosur nëse do të vazhdoj apo jo pas Botërorit. Ndihem i mbështetur nga Federata, e cila më ka afruar dy herë... Kam dashurinë më të madhe dhe ndihem i sigurt. Por sa vlen një kontratë nëse nuk arrihen objektivat në Botëror? Do të shihet pas Katarit. Do të përmbush kontratën time dhe më pas do të shohim”.
Kombëtarja nuk ka ardhur në Barcelonë prej 18 vitesh?
“Mendoj se ndeshja në Barcelonë do të jetë një festë dhe shpresoj që njerëzit ta shijojnë atë. Ne e përballojmë atë me shumë entuziazëm dhe shpresojmë që njerëzit ta shijojnë atë në një tokë aq të bukur sa Barcelona. Hera e fundit që luajta këtu ishte një nga ndeshjet më të bukura dhe më të rëndësishme të jetës sime, finalja e Lojërave Olimpike të Barcelonës '92. E di që njerëzit do të përgjigjen dhe do të mbushin stadiumin Cornella”, u shpreh trajneri spanjoll në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Shqipërinë./Ora News/.

