Bushi: Kombëtarja po furnizohet nga Shpresat, neve na prishen ekuilibrat në skuadër (Video)

Trajneri i Shpresave Alban Bushi ka folur në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ndaj Republikës Çeke, e vlefshme për Kampionatin Europian 2023.

Në fjalën e tij trajneri i ekipit U21 prej vitesh thekson punën e mirë të bërë në krye të skuadrës që ka sjellë dhe furnizimin me lojtarë shumë të mirë të Kombëtares A por kjo sipas Bushit prish disi ekuilibrat e skuadrës së tij dhe në këtë mënyrë nuk mund të arrihet maksimumi në eliminatore.

Ne jemi një vend i vogël dhe objektivat nuk janë madhor për U-21. Pra, objektivi ynë është personal, lojtarët duan të kualifikohen në Europian, por si objektiv madhor ne kemi ekipin A. Kemi çuar shumë lojtarë në ekipin A si asnjëherë më parë, Shqipëria ka 80% të ekipit me lojtarë që i kanë ardhur nga moshat. Dhe për këtë arsye jemi shumë të gëzuar dhe të lumtur, si Federatë, si Drejtori Teknike sepse është bërë një punë shumë e mirë te moshat, por gjithsesi na prish edhe neve pak ekuilibrat sepse 2-3 lojtarë të mirë, po të lëvizin nga U-21 bëjnë diferencën dhe kur përballesh më pas me ekipe të forta dhe me cilësi duhet të marrësh edhe rezultat. Kjo na i ka prishur pak objektivat që kishim, por gjithsesi jemi të lumtur sepse po shkojmë mirë”.

Më pas trajneri i Shpresave thekson se tashmë e ka fiksuar formacionin me të cilin do të luajë ndaj Republikës Çeke dhe se një barazim ndaj tyre nuk do ta kënaqte.

“Nuk do isha i kënaqur me një barazim. Pa dyshim që do jëtë një ndeshje e fortë, një ndeshje me emocion, e luftuar nga të dyja ekipet për ta fituar. Ne jemi përgatitur shumë për këtë ndeshje. E vlerësojmë shumë ekipin çek, është një ekip që thuajse çdo sezon merr pjesë në Kampionatin për moshat u-21. Kemi luajtur më parë me ta në Çeki, na kanë mundur thellë, për gabime individuale, që tek unë i pari, te futbollisti i fundit. Gjithsesi kemi mësuar, jemi përmirësuar dhe shpresojmë t’i bëjmë yzmetin deri në fund, të luftojmë shumë, të sakrifikojmë shumë dhe me ndihmën e tifozëve, shpresoj se do të arrij një rezultat pozitiv. E kam menduar, kemi 5 ditë në grumbullim, nesër është ndeshja. I kemi bërë të gjitha stërvitjet, sot do bëjmë vetëm ca reagime për të qenë në formë ditën e nesërme. Nuk mund të themi ekipi ideal sepse kemi mungesa shumë, si Bajrami dhe Asllani që ne i kishim programuar për këtë ndeshje, por janë tek ekipi A dhe i kanë prishur pak ekuilibrat. Por me lojtarët që kam, jam shumë i kënaqur nga ata dhe e dinë se çfarë duhet të bëjnë, e dinë se çfarë i pret, e dinë se si duhet të luftojnë, e dinë objektivin tonë që nëse ne fitojmë nesër me Çekinë i afrohemi një pikë atyre dhe kemi edhe tre ndeshje të tjera, pavarësisht se dy janë me Anglinë dhe një është me Kosovën, por në futboll çdo gjë mund të ndodhë. Jemi shumë të përgatitur për këtë ndeshje, shumë të motivuar”, deklaroi Bushi në konferencën për shtyp./Ora News/.