Apokalips i vërtetë/ Italia jashtë Botërorit. Portugalia avancon (Video)
Apokalips mund ta quajmë për futbollin. Italia, kampionia e Europës është jashtë Kupës së Botës për herë të dytë radhazi teksa në një ndeshje që foli vetëm në një kah, e humbën në fund përballë Maqedonisë së Veriut.
Askush nuk e priste, askush nuk e mendonte një tragjedi të futbollit dhe ku Italia super favorite nuk arrin të shkojë në Botëror.
Në “Renzo Barbera” ishte vetëm italia në fushë por nuk arritën të shënonin dhe vetëm me një rast Maqedonia e Veriut arrin të shënojë duke ndëshkuar Italinë sërish.
Është historike për Maqedoninë e Veriut, ballkanasit që eliminojnë Italinë dhe ky është futbolli, asnjëherë i parashikueshëm.
Ndeshje me të vërtetë dramatike u luajtën në playoffin e Botërorit. Në gjysmëfinalet e zhvilluara sot ka patur dramë të vërtetë në çdo ndeshje teksa Portugalia arriti të avanconte më tej me shumë fat duhet thënë.
Në “Oporto”, Ronaldo me shokë kishin gjithçka në dorë duke kryesuar 2-0 pas pjesës së parë me golat e Otavio në 15’ dhe Jota në 42’.
Me një fitore që dukej shumë e lehtë, Turqia ndryshon marsh në pjesën e dytë dhe vë në vështirësi të madhe vendasit teksa Burak Yilmaz shkurton diferencën në 65’ dhe në 85’ fiton një penallti ku ka mundësi për ta çuar sfidën në shtesa. Nga pika e bardhë sulmuesi i Lille gabon në mënyrë të pafalshme duke çuar Portugalinë në finale.
Në sfidën tjetër, Gareth Bale rikthehet hero për Uellsin me një paraqitje fantastike ku falë një dygolëshi çon ekipin e tij në finalen e playoffit të Botërorit.
Përballë Austrisë, Uellsi fitoi 2-1 me vuajtje në minutat e fundit teksa miqtë ishin më mirë në qarkullimin dhe volumin e lojës.
Gjithsesi fillimisht me një perlë në 25’ Bale e çoi topin në cepin e portës ndërsa në 51’ dyfishoi rezultatin. Gjithsesi Austria rihapi lojën me një autogol të Davies në 64’ por në fund është Uellsi dhe Bale që kalojnë më tej dhe do të presin fituesin e çiftit Skoci-Ukrainë./Ora News/.
