Video/ Momente nga dita e tretë e përgatitjeve. Abrashi humbet dy miqësoret
Stërvitja e kuqezinjve në Spanjë tashmë është me ritme maksimale dhe ngarkesën e duhur për t’u përgatitur sa më mirë për miqësoren ndaj “La Rojas”.
Është dita e tretë e përgatitjeve dh si zakonisht ekipi dhe stafi kuqezi kanë mbërritur në orën 16:00 në qendrën stërvitore “Royalverd Vall de Bas” për të zhvilluar seancën e ditës në kushte atmosferike mjaft të mira. Grupi është fokusuar një pjesë të mirë të kohës në ngarkesat fizike e më pas ka punuar me pjesën taktike, duke zhvilluar edhe ndeshje kontrolli mes dy grupeve ku janë aktivizuar të gjithë futbollistët.
FSHF bën me dije se është e sigurt mungesa e Amir Abrashit, i cili nuk mund të rikuperohet dot në kohë për dy ndeshjet e marsit për shkak të dëmtimit muskulor.
Grupi do të vazhdojë me të njëjtin program stërvitor edhe ditën e enjte, ndërsa të premten kuqezinjtë do të zhvillojnë seancën zyrtare stërvitore në stadiumin e ndeshjes “RCDE” në Barcelonë./Ora News/.
