Kessie firmos me Barcelonën. Zbulohet paga dhe kontrata e mesfushorit

Fillimisht kontaktet, e më pas marrëveshja. Mesfushori i Milanit, Franck Kessie ka arritur marrëveshjen përfundimtare të hënën dhe sezonin tjetër duke nisur nga 1 Korriku do të veshë fanellën e Barcelonës.

Lojtari do të largohet nga kuqezinjtë me parametër zero, ose falas siç njihet në zhargonin e përditshëm teksa ka refuzuar të gjitha ofertat e rinovimit që kishin ardhur nga Milani. Kessie do të jetë nënshkrimi i dytë i ri i blaugranëve pas një tjetër lojtari me parametër zero, pikërisht mbrojtësit të Chelseat, Andreas Christensen.

Mesfushori nga Bregu i Fildishtë i Milanit, me Barcelonën, ka nënshkruar një kontratë të vlefshme nga 1 korriku i ardhshëm, për katër vjet dhe të fitojë rreth 6.5 milionë euro neto në vit. Me këtë lojtar të mbyllur si akord, Xavi do të ketë në organikë një futbollist që i mungonte skuadrës, fizik por edhe teknik e gjithashtu me një prirje diskrete për gola, si dhe një ekzekutues i shkëlqyer penalltish.

Kessie në rolin e tij ndoshte do të ketë rival vetëm Busquets por duke qenë pothuajse drejt fundit te Barça dhe duke qenë se nuk mund të përballojë të gjithë sezonin, afrimi i lojtarit të Milanit kompleton plotësisht mesfushën e tani prioritet do të mbetet mbrojtja./Ora News/.