Sherr me sende të forta e armë në Kombinat, ndërhyrja e policisë shmang përshkallëzimin e konfliktit
Një konflikt me armë ka ndodhur ditën e sotme në zonën e Kombinatit në kryeqytet mes dy personave.
Bëhet fjalë për një 60-vjeçar dhe një 43-vjeçar që janë konfliktuar me sende të forta dhe më pas edhe me armë nga ana e 60-vjeçarit.
Ndërkohë që policia ka ndërhyrë dhe ka bërë të mundur që të mos përshkallëzohej konflikti mes dy personave.
“Më datë 20.03.2022, në Kombinat, janë konfliktuar shtetasi A. Sh., 60 dhe E. G., 43 vjeç. Gjatë konfliktit, këta dy shtetas, kanë goditur me sende të forta njëri-tjetrin, dhe dyshohet se shtetasi A. Sh., ka qëlluar me armë zjarri. Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit. Si pasojë e goditjeve me sende të forta, janë dëmtuar dy palët e konfliktit dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.” – njofton policia.
Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe dy gëzhoja. Aktualisht policia ka shoqëruar dhe tre persona që dyshohet se kanë qenë prezent.
Grup hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

