Kremlini ndryshon strategji sulmi, forcat ruse lëshojnë raketa hipersonike në Ukrainë

Rusia duket se ka zgjedhur një taktikë tjetër edhe pas raportimeve se ofensiva e trupave të Moskës ka ngecur në shumë vende në Ukrainë. Kremlini ka pranuar se qëlluar disa baza ushtarake me raketa hipersonike, të cilat janë të pandalshme dhe me shpejtësi sa 10-fishi i shpejtësisë së zërit.

Rusia duket se ka ndërruar taktikë sa i përket luftës në Ukrainë.

Të shtunën forcat ruse bombarduan disa zona në perëndim të vendit me raketa hipersonike të cilat janë të pandalshme nga anti-ajrorët, sipas ekspertëve dhe sipas raporteve të Ministrisë së Mbrpkesk.

Edhe vetë Moska e ka pranuar një fakt të tillë, ku sipas medieve të kontrolluara nga Kremlini ishte hera e parë që një armë e tillë përdorej në luftime.

Raketat ruse të shtunën shkatërruan një fabrikë municionesh në rajonin e Ivano-Frankivsk, në perëndim të Ukrainës.

Një gjeneral rus paralajmëroi se forcat ruse përdorën sisteme raketore kundër anijeve ushtarake ukrainase pranë portit të Odesës në Detin e Zi.

Trupat e Moskës janë bllokuar prej disa ditësh dhe Kievi pretendon se afro 15,000 ushtarë rusë janë vrarë në luftë.

Ushtria ruse aktualisht ka rrethuar qytetin port të Mariupollit ku janë regjistruar disa shpërthime dhe sipas pamjeve satelitore dallohen blloqe pallatesh të banuara nën rrënoja ose të goditur nga predhat e Moskës.

Rreth 300 mijë civilë në këtë qytet nuk munden të evakuohen dhe sipas kryebashkiakut të Mariupollit forcat ukrainase po bëjnë gjithçka për të ruajtur pozicionet, por sipas tij tanket dhe trupat ruse janë më të mëdhenj në numër krahasuar me vendasit.

Kujtojmë që të premten një sulm rus shkaktoi vdekjen e mbi 50 personave në qytetin e Mikollaivit, në jug të vendit.