Rusia thotë se ka përdorur për herë të parë raketa hipersonike në Ukrainë

Ministria ruse e mbrojtjes pretendon se ka shkatërruar një magazinë të madhe nëntokësore me raketa dhe armë në rajonin Ivano-Frankivsk të Ukrainës perëndimore, duke përdorur raketa hipersonike, Kinzhal.

Sipas Ministrisë ruse, kjo është hera e parë që përdorin armë të tilla. 

"Kompleksi i raketave të aviacionit Kinzhal  me raketa aeroballistike hipersonike shkatërroi një depo të madhe nëntokësore të raketave dhe municioneve të forcave ukrainase në fshatin Delyatin", tha zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov.

Ndërkohë gazetari i Al Jazeera Imran Khan, ka deklaruar se Rusia mund të ketë përdorur edhe më parë raketa hipersonike.

Sipas tij lloje të tilla armësh vendosen shpesh në zonat e konfliktit, me qëllim që të testojnë aftësitë e tyre luftarake.

“Edhe pse kjo është hera e parë që rusët thonë publikisht se kanë përdorur armë hipersonike, ka mundësi që nuk është hera e parë që ata e përdorin atë. Dëgjojmë gjithashtu se rusët futën dron kamikaze në luftë”, tha ai.