OBSH: 12 persona janë vrarë nga sulmet në objektet e kujdesit shëndetësor në Ukrainë

Të paktën 12 persona janë vrarë dhe 34 persona janë plagosur në të paktën 43 sulme në objektet e kujdesit shëndetësor në Ukrainë, tha të enjten Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Në mesin e viktimave ka punonjës shëndetësorë, tha Tedros në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

"Sulmet ndaj kujdesit shëndetësor janë një shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar - në çdo kohë, kudo. Ato i privojnë njerëzit nga kujdesi urgjentisht i nevojshëm dhe thyejnë sistemet shëndetësore. Kjo është ajo që ne po shohim në Ukrainë," tha Tedros.

Shërbimet e shëndetit mendor gjithashtu po preken shumë nga konflikti, me më shumë se 35,000 pacientë të shëndetit mendor në spitalet psikiatrike të Ukrainës dhe objektet e kujdesit afatgjatë, të cilat po përballen me mungesa të rënda të ilaçeve, ushqimit, ngrohjes dhe batanijeve.

Tedros tha se lufta në Ukrainë po përkeqëson gjithashtu ndikimin e pandemisë Covid-19 në vend.

"Rënia e shkallës së testimit që nga fillimi i konfliktit do të thotë se ka të ngjarë të ketë një transmetim domethënës të pazbuluar.” tha Tedros.

OBSH ka dërguar rreth 100 tonë furnizime mjekësore në rajon, duke përfshirë oksigjen, insulinë, furnizime kirurgjikale, anestetikë dhe komplete transfuzioni gjaku - të mjaftueshme për 4,500 pacientë me traumë dhe 450,000 pacientë të kujdesit shëndetësor parësor, gjatë një muaji.

Pajisje të tjera, janë dorëzuar gjithashtu gjeneratorë të oksigjenit, gjeneratorë elektrikë dhe defibrilatorë dhe ne po përgatitemi të dërgojmë edhe 108 tonë të tjerë metrikë”, tha Tedros.