Tenton të kalojë përmes turmës me makinë, gardisti përplaset me protestuesit në Paskuqan

Një gardist ka tentuar të kalojë me automjetin e tij mes turmës së protestuesve të Paskuqanit dhe  ka hasur në rezistencën e banorëve. Këta të fundit i bënë thirrje policisë ta arrestoje pasi pretendojnë se i ka kërcënuar me armë.

Banorët e Paskuqanit dolën sërish pasditen e së mërkurës në protestë për shtëpitë e tyre. Ata kërkojnë që projekti i Unazës së Madhe të ndryshojë në mënyrë që banesat të mos shemben. Devijim i projektit ose dëmshpërblimi ka qenë slogan i tyre që kur nisën valën e protestave ditë më parë

Të revoltuar ata kane bllokuar rrugën por një nga drejtuesit e automjeteve nuk ka pranuar të zbrapset e për pasojë është konfliktuar me banorët.

Siç shihet përgjatë përplasjes efektivët e rendit nuk kanë mundur të shuajnë konfliktin por banorët kanë përmbajtur më të revoltuarit.

Drejtuesi i makinës me targa AA 270 ZK është identifikuar si Euglen Benga, efektiv i Gardës. Protestuesit i bënë thirrje policisë ta arrestojë pasi sipas tyre ai i ka kërcënuar protestuesit me armë.

"Ai mund të jetë gjithçka, por në momentin që turmë njerëzit këtu dhe në momentin që ka protestë ai nxjerr armën. Për çfarë e nxjerr armën ai? E nxjerr armën të vrasë njeri? Ky tjetri vjen ta afron makinën deri te këmbët", tha Marku.

Mbi 100 shtëpi janë në listën e godinave që do të rrafshohen në këtë zone nga Unaza e Madhe. Në mbështetje të tyre kanë qenë në proteste edhe banorët e "5 Majit" e ata Laprakës, banesat e të cilëve po ashtu preken nga projektet infrastrukturore.