Protesta për çmimet, Gjokutaj: Reagimi i Ramës papërgjegjshmëri ndaj detyrës. Qeveria s’i shpëton revoltës popullore

Avokati Genc Gjokutaj, është shprehur se nëse plotësohen kërkesat e qytetarëve në lidhje me çmimet, protesta që është zhvilluar prej ditësh, ia ka arritur qëllimit të saj.

Në një intervistë për Ora News, Gjokutaj tha se nëse protesta ka sfond politik ajo mbetet gjithmonë e papërfunduar.

Genc Gjokutaj: Genc Gjokutaj: Nëse protesta ka arsye ekonomike, mendoj se me plotësimin e kërkesave të tyre nga qeveria ia ka arritur qëllimit. Mendoj se nëse jemi në këto kufij atëherë ulja e çmimit të naftës dhe artikujve bazë të shportës, nëse do të ketë afatgjatë nga ana e qeverisë, mendoj se kjo protestë ia ka arritur qëllimin. Po nëse protesta ka një sfond politik ajo mbetet gjithmonë e papërfunduar. Ajo që më shqetëson, nuk është protesta pasi qeveria ka nevojë për një presion të tillë, pasi siç është dëshmuar që 9 vite kjo qeveri nuk ka vullnetin për të marrë iniciativa kryesisht nga ana e saj, për të marrë zgjidhje përkatëse në një krizë.

Më tej ai tha se reagimi i Edi Ramës për protestën është papërgjegjshmëri  politike dhe ndaj detyrës. Avokati tha se kriza është krizë dhe kërko zgjidhje dhe jo zvarritje. Sipas tij lëvizjet e Ramës janë për t’i shpëtuar një revolte masive popullore nga e cila kjo qeveri nuk shpëton dot.

Genc Gjokutaj: Kryeministri Rama në fillim e shpërfilli protestën, e anatemoi, duke thënë se pjesëmarrësit nuk ishin pjesë e popullit. Ndërkohë që me shtyrjen e protestës Rama ndryshoi zhargonin, ndryshoi tonin. Kjo është një sjellje negative, tregon papërgjegjshmëri politike, por edhe papërgjegjshmëri ndaj detyrës. Kriza është krizë dhe kërkon zgjidhje dhe jo zvarritje. Nuk kërkon justifikime deri në momentin kur ti ndihesh i rrezikuar për pushtetin tënd. Të gjithë këto lëvizje janë për të shpëtuar një revolte masive popullore nga e cila kjo qeveri nuk shpëton dot.

Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.