Mister ngordhja masive e pulave, preken fermat në Durrës dhe Korçë, sëmundja ende e paidentifikuar

Një sëmundje infektive që përhapet mes shpendëve ka prekur pularitë në Durrës, ku në harkun e dy javëve përllogaritet se kanë ngordhur rreth 500 mijë pula.  

Për momentin mbetet e paqartë cili variant i virusit po qarkullon, por sipas të dhënave ai dëmton rrugët e frymëmarrjes së shpendëve. Shpezët e ngordhura janë asgjësuar, ndërsa pularitë e prekura janë dezinfektuar për të mbajtur të izoluar vatrat e virusit. Krahas Durrësit, dyshime për shpendë të prekur nga gripi i Shpendëve ka edhe në Korçë.

“Një rast që është çuar për analiza” bëri me dije Adriatik Skenderasi përgjegjës i sektorit veterinar pranë Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Korçe i kontaktuar për këtë situatë

Ministria e Bujqësisë dhe Angjecia veterinare reaguan pas publikimit te lajmit ne media duke  perjashtuar gripin  e shpedeve si shkak te ngordhjes masive. Gjithashtu autoritetet thuhet se bëhet fjalë për raste të izoluara dhe se konsumatori nuk rrezikohet nga ky virus apo konsumi i produkteve e me origjinë nga shpendët.   

Megjithatë Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Instituti për Sigurinë Ushqimore thotë se po monitorojnë situatën dhe po bën kontrolle për të verifikuar se për çfarë virusi bëhet fjalë.

Njoftimi nga Ministria e Bujqësisë

Ministria e Bujqësisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe Institutit për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë informon opinionin publik se nuk ka asnjë rast të pranisë së influencës aviare (gripi i shpendëve) në Shqipëri deri më tani.

Pas analizave të kryera në tre data të ndryshme dhe me mbi 60 kampione, rezultatet e marra nga mostrat e dërguara nga Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve drejt laboratorit të certifikuar në Institutin për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë përjashtojnë kategorikisht sëmundjen virusale të gripit të shpendëve.

Rezultatet e analizimit në laboratorin e referencës konfirmojnë se nuk ka sëmundje që rrezikojnë konsumatorin apo produktet ushqimore me origjinë nga shpendët. 

Ju bëjmë me dije se rastet e dyshuara janë të lokalizuara në vetëm 2-3 stabilmente në një zonë të vetme.

Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjen e Bimëve dhe Instituti për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë janë në monitorim të vazhdueshëm dhe po bën kontrolle për të verifikuar arsyet e kësaj situatë epizootike.