Polica nis aksionin kundër kultivimit të kanabisit, zbardhen porositë e Gledis Nanos

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, u ka lënë porosi drejtorive dhe komisariateve në gjithë vendin të nisin kontrollet për identifikimin e terreneve që pëdoren për kultivim kanabisi. Aksioni do të zhvillohet në gjithë vendin para sezonit veror, ndërkohë që veç efektivave në terren policia do të këtë në dispozicion rreth 50 dronë për vëzhgime nga ajri.

Në prag të sezonit veror, policia e shtetit ka mobilizuar efektivat për zbulimin e terreneve ku kultivohet kanabis.

Drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano, pritet të zbresë vetë në terren për të përcjellë tek vartësit porositë për këtë operacion.

1. Grumbullimin e informacioneve për individë ose grupe kriminale që importojnë fara të bimës narkotike kanabis sativa, me qëllim goditjen e këtij aktiviteti kriminal që në fazën fillestare.

2. Mbi bazën e hartës digjitale dhe analizën e riskut, do të ushtrohen kontrolle periodike si në ambientet e hapura edhe në ato të mbyllura, me qëllim goditjen e këtij aktiviteti kriminal.

3. Forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.

4. Nisur nga shtimi i rasteve të konstatuara të kultivimit në ambiente të mbyllura do t’i kushtohet rëndësi e veçantë marrjes, verifikimit dhe ndjekjes së informacioneve policore, për individë apo grupe kriminale të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Policia e shtetit do të këtë në dispozicion rreth 50 dronë, nga të cilët efektivët do ti përdorin në ato zona ku kanë indicie të forta për kultivim droge.

Edhe këtë vit do të përdorët sistemi elektronik “GIS-NARKOTIK”.

Ky sistem ofron të dhëna të plota dhe mundësoi raporte analitike për, kontrollin e territorit, informacionin e paraqitur nga agjenci të tjera ligj-zbatuese, ndjekjen dhe gjurmimin e këtij informacioni.

Raportet e monitorimit ajror dhe gjurmimit në terren të këtyre të dhënave, rastet dhe vendet e kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë vitit të kaluar janë evidentuar 848 vepra penale për kultivimin e bimëve narkotike, nga të cilat 736 janë raste kultivimi .

Të implikuar në këtë veprimtari kanë qenë 668 shtetas nga të cilët 400 janë ndaluar apo arrestuar në flagrancë, ndërsa janë identifikuar dhe asgjësuar 164.775 bimë narkotike, nga të cilat 20.997 në kubikë.