"Rezistenca" përballë krizës, Ibrahimaj për RTV Ora: Afër nesh ka luftë, duhet të shtrëngojmë dhëmbët
Kryeministri, Edi Rama, prezantoi më 12 mars planin e masave anti-krizë. Paketa e "Rezistencës Sociale" ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe të luftës në Ukrainë mbi çmimet, përmban 7 pika dhe nis me indeksimin e pensioneve.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimi në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj u shpreh se gjatë një takimi me FMN (Fondi Monetar Ndërkombëtar) u diskutuan masat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë me qëllim për përballimin e situatës.
Ibrahimaj: Masat e ndërmarra nga ne janë totalisht të mbështetura nga FMN. Na ka rekomanduar që ne duhet të marrim masa që të mbështesim ato shtresa të cilat janë më në nevojë dhe ato shtresa që nuk mund të përballojnë një rritje të çmimeve. Pikërisht ne këtë kemi bërë, kemi marrë në shqyrtim shpenzimet e shportës së konsumit të familjeve shqiptare dhe duke marrë në konsideratë se sa ka qenë rrija e çmimeve të ushqimeve vetëm në muajin shkurt, është rritur me 6.9%. 6.9% për një familje shqiptare me të ardhura mesatare do të thotë një shpenzim rreth 2500 lekë më shumë në muaj për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve. Ne kemi vendosur që me këtë rritje të mbulojmë të gjithë pensionistët.
RTV Ora: Çfarë ju sugjeroi FMN?
Ibrahimaj: FMN sugjeron që ne të jemi të kujdesshëm, ët monitorojmë gjithë zhvillimet t tregut kombëtar dhe ndërkombëtar. Ne jemi duke bërë skenarët e parashikimit të rritjes ekonomike. Rritja ekonomike si nga ne dhe nga FMN ishte parashikuar në nivelin 4.2% për vitin 2022, do të ulet. Teknikët janë duke parashikuar se sa do të ulet rritja ekonomike. Mendohet të arrihet në një nivel rreth 2.5%, megjithatë është për tu parë.
RTV Ora: Kjo paketë parashikon një mbulim për 3 muaj. Si do ët vijohet më tej? Kryeministri ka propozuar edhe ngritjen e një bordi për produktet ushqimore. Kur do të ngrihet ai?
Ibrahimaj: Kemi ngritur bordin për karburantet dhe ka përcaktuar marzhe të fiksuara të fitimit mbi çmimet e bursës. Është një praktikë e cila do të përdoret dhe me disa produkte të shportës me qëllim që ne të eleminojmë çdo abuzim me rritjen e çmimeve. Bordi po ndërtohet.
RTV Ora: Ka dyshime për abuzime?
Irbahimaj: Nëpërmjet bordit do të garantojmë që nuk do të ketë abuzime me rritjen e çmimeve apo produkteve bazë të shportës. Ne do t'i monitorojmë dhe do bëjmë atë që bëmë me karburantet, do krijojmë transparencë në çmimet e shitjes së këtyre produkteve. Do të përcaktojmë disa marzhe fitimi të cilat nuk mund të jenë të tejkaluara.
RTV Ora: Do të ketë pezullim të TVSH-së për produktet bazë të shportës?
Ibrahimaj: Në Shqipëri 90% e biznesit të vogël, ose 95 mijë biznese janë pa TVSH. Arsyeja pse ne nuk do të ndërhyjmë në taksa është sepse mendojmë fort që ndërhyrja në taksa nuk përkthehet në çmim një më një, por përkthehet më shumë në marzhe fitimi për bizneset. Janë 90% e furrave të bukës, janë biznese të vogla pa TVSH. E vetmja formë që ne kemi dhe FMN nuk sugjeron ndërhyrje në taksa, por sugjeron mbështetje të kategorive në nevojë, është mbështetja e këtyre kategorive me 3 mijë lekë të reja për 3 muaj. Ndërkohë që nëpërmjet bordit që do të ngrihet do të monitorojmë transparencën e këtyre çmimeve dhe mos ketë abuzime.
RTV Ora: Shqipëria sipas raporteve është me nivelin më të ulët të të ardhurave dhe me çmimet më të shtrenjta. Ju mendoni se çmimet vijnë nga spekulimet apo për shkak të taksave?
Ibrahimaj: Çmimet janë një miks elementësh, nuk i përcakton qeveria, i përcakton tregu, dhe kërkesa e oferta. Ne jemi një vend i cili ka taksat më të ulëta absolut në rajon për sa i përket qoftë punësimit, qoftë biznesit të vogël. Nëse do t'i referohemi sigurimeve shoqërore, aktualisht kostoja e sigurimeve shoqërore është 27.9 %, në Maqedoni është 42.5% ndërsa në Serbi është 47.55%. këtu është një total i cili paguhet si nga punëdhënësi ashti dhe nga punëmarrësi. Në Maqedoni kemi një normë tatimi mbi fitimin 10% dhe në Serbi 15%. Për bizneset e vogla në Shqipëri është zero.
Ministrja u shpreh se minimumi jetik ndonëse nuk është i përcaktuar, qeveria monitoron vazhdimisht shtresat në nevojë.
Ibrahimaj kishte një koment edhe për qytetarët që po protestojnë për rritjen e çmimeve.
Ibrahimaj: Qytetarët kanë gjithë të drejtën për të protestuar ndonëse situata nuk është aspak e tillë për të protestuar pasi shumë afër nesh ka një luftë e cila ka pasoja jo vetëm ekonomike, por pasoja humanitare. Në situata luftërash të gjithë duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe të tregojmë tolerancë dhe solidaritet. Në situata luftërash ai që mund ta përballojë rritjen e çmimeve do ta përballojë rritjen e çmimeve dhe ai që nuk mund ta përballojë do të mbështetet nga qeveria.
