Tregtonte pije të skaduara, arrestohet pronari i një biznesi në Shkodër

Një 56 vjeçar në Shkodër është arrestuar ditën e sotme pasi është kapur duke tregtuar pije të skaduara.

Policia bën me dije se në pranga ka rënë shtetasi D. H., banues në lagjen “Salo Halili” Shkodër, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja ose ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin tregtar që administronte ky shtetas, në lagjen “Salo Halili”, Shkodër, kanë gjetur dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme me pije (lëngje frutash), të cilave u kishte kaluar afati i skadencës.”- njofton policia.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.