Kume: Në zgjedhjet e ardhshme vendore të votohet në mënyrë elektronike, ja vlen shpenzimi
Eksperti i zgjedhjeve, Kristaq Kume, vlerëson se ka ardhur koha që votimi elektronik të shtrihet në gjithë vendin, duke filluar nga zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
Sipas Kumes, dy projektet pilot në Tiranë dhe së fundmi në Vorë kanë dëshmuar avantazhet dhe aftësinë e zgjedhësve për të përdorur teknologjinë në zgjedhje.
Gjithçka ka mbetur sipas tij për tu diskutuar është kostoja, por që në vlerësimin e Kumes ja vlen një shpenzim i tillë.
Kristaq Kume: Projekti pilot i zhvilluar në Bashkinë e Vorës sëbashku me projektin pilot të bërë në zgjedhjet e 25 prillit treguan se ne si shoqëri, zgjedhësi shqiptar ka mundësi, ka kapacitetet e nevojshme për të përdorur teknologjinë e informacionit në një proces zgjedhor. Natyrisht ashtu siç ajo është pilotuar, përdorimi i saj në cikël të mbyllur brenda Qendrës së Votimit.
Mendoj se pasi u realizuan me sukses këto dy procese pilot, është koha të merret vendimi dhe duhet të merret vendimi, që kjo mënyrë e të votuarit të përdoret në të gjithë procesin zgjedhor, siç është ai që do të vijë për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore vitin tjetër. Ajo çka mund të diskutohet dhe bëhet pjesë e gjithë këtij procesi është kostoja që kërkohet për ta përballuar por në vlerësimin tim ja vlen që të bëhet një shpenzim i tillë.

