Vlora pa investime në periferi, banorët e lagjes "Kushtrim": Rrugën e kemi baltë, s'dalim dot

Lagjet periferike të Vlorës janë lënë tërësisht në harresë nga bashkia ndërsa mungesa e investimeve ka bërë që banorët të reagojnë të revoltuar. Ata thonë se punët publike janë përqendruar në qendrën e qytetit që është më e dukshme por investimet në lagjet periferike mungojnë.

Vetëm pak kilometra nga qendra e Vlorës, shfaqen rrugët e pashtruara dhe gropat e mbushura me ujë.

Lagja "Kushtrimi" në qytetin bregdetar vuan edhe mungesën e hapësirave publike.

Banorët reagojnë të revoltuar ndaj kësaj situate.

"Rrugën e kemi baltë, nuk dalim dot. Ku të shkosh të ankohesh? Me baltë kam vajtur te rajoni, u futa brenda dhe më tha ku vete."

"Ky pellgu ka mbetur si mos më keq. Kanë 5 vjet që kanë prishur garazhet, thanë do bëhet lulishte. As lulishte, asgjë nuk u bë. Dhe ne njerëz jemi."

Gishtin e drejtojnë nga Bashkia, teksa thonë se janë ankuar disa herë por nuk kanë gjetur zgjidhje.

"Që në '89 kam marrë shtëpi. Asnjëherë nuk është shtruar.Të na bëjnë një lulishte. Na kanë thonë do e shtrojmë, do e shtrojmë, po nuk ka fonde."

Në ditët me shi, situata bëhet më e vështirë.

"Gropa-gropa, dhe nuk shikojmë dhe na bie këmba."

"As ndriçim nuk ka, paguajmë vetë që bëjmë pastrimin."

Banorët e shumë lagjeve në Vlorë janë ankuar shpesh herë në media për mungesën e investimeve, ndërsa Qeveria dhe Bashkia i kanë përqendruar të gjitha investimet në qendër të qytetit.

Vlora pa investime në periferi, banorët e lagjes "Kushtrim":