Çmimet/ Zusi: Shqetësim qasja e qeverisë për të orientuar aksionin e saj vetëm drejt shtresave në nevojë

Ekonomisti Alban Zusi, shprehet se kriza në të cilën ndodhet Shqipëria është një nga sfidat më të mëdha ekonomike pas asaj të vitit 1997.

Në një intervistë për Ora News, Zusi shprehet se përballë kësaj situate qeveritë e vendeve të ndryshme po përpiqen të ruajnë stabilitetin e bizneseve.

Alban Zusi: Është një nga sfidat më të mëdha ekonomike pas asaj të ’97. E gjithë situata globale është e turbulluar, është një dinamikë që krijon vështirësi qoftë për shtresat në nevojë, por edhe për bizneset. Të gjithë qeveritë e vendeve të ndryshme kanë një qasje të cilat po përpiqen në njëfarë mënyre të lehtësojnë situatën qoftë për konsumatorin, por po përpiqen të ndjekin politika për të ruajtur stabilitetin e bizneseve  prodhuese të vendeve të tyre. Nëse stabiliteti do të prishet ata që do ta vuanin janë përsëri bizneset veçanërisht ato të ardhura të ulëta. Por përveç problematikave të çmimeve në tregjet  ndërkombëtar, do të shtohej pastaj edhe problem i papunësisë, i humbjes së vendeve të punës.

Zusi thotë se sheh si shqetësim qasjen e qeverisë sonë që aksionin e saj e ka orientuar vetëm tek shtresat në nevojë.  Sipas tij mungesa e vëmendjes së qeverisë ndaj bizneseve të mesme është zero.

Alban Zusi: Ajo çfarë do të shihja me shqetësim është një qasje e qeverisë sonë për të orientuar aksionin e saj përgjithësisht vetëm drejt shtresave në nevojë. Ky është një aksion jo proporcional me atë që kanë bërë qeveritë e vendeve të tjera, veçanërisht qeveritë e vendeve të rajonit. Shoh një mungesë të vëmendjes totale ndaj bizneseve të mesme që janë motori kryesor i ekonomisë.

Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.