Blerina Ago fiton çmimin si një ndër sipërmarrëset më të mira në Ballkan: Ja dola edhe pse ishte një vit i vështirë
Në pjesën e fundit të emisionit të pasdites “Jeto me orën” në RTV Ora ishte e ftuar një personazh shumë interesant, e dashuruar me turizmin, zhvillimin e tij, natyrën dhe shfrytëzimin e saj për turizëm, Blerina Ago.
Ajo është parë gjithmonë shumë aktive në promovimin e Shqipërisë, e tashmë prej kohësh është edhe Drejtuese e “Active Albania”. Blerina, sapo ke marrë një çmim shumë të rëndësishëm si gruaja sipërmarrëse e ballkanit perëndimor, ku u përzgjedh mes 180 nominimeve. Në lidhje me këtë Blerina tha se kontributi shkon për të gjithë ata që e kanë suportuar dhe mbështetur në këtë rrugëtim.
“Kur më dhanë fjalën përshëndetëse, thjesht mendova se do të ndajë përjetimin emocional të asaj çfarë kisha realizuar. Por, ai vlerësim për mua erdhi në momentin më të mirë të mundëshme dhe në kohën e duhur. Ja dola që me “Active Albania” t’ia dilja mbanë për atë që isha nisur.
Mendoj që, së pari duhet të kesh pasion të jashtëzakonshëm të bësh atë që dëshiron. Por, që të jesh i suksesshëm duhet të kesh edhe mbështetje, unë mendoj se kjo më ka sjellë këtu ku jam. Mbështetje e madhe për mua ka qenë stafi, por nuk mund të lej pa përmendur edhe shumë organizata dhe institucione që më kanë mbështetur dhe ndihmuar”, tha Ago.
Ndër të tjera ajo u ndal në një ndër momentet që kanë shënjuar më shumë në rrugëtimin e saj në turizëm. “Beteja më e madhe për mua ka qenë momenti për të mbrojtur “Kanionet e Osumit”.
Ishte vështirësi pasi njerëzit nuk besonin tek fuqia e tyre dhe mos dëmtimi që duhet ti mbronim. Për këtë kemi trajnuar shumë të rinj.
Është një ndër momentet më të vështirë, që ende e mendoj këtë pjesë. Duhet të ketë bashkëpunim me komunitetit që bën pjesë, që një ditë të ata të jenë aty për ta mbrojtur vendin”, tha më tej Blerina.
“Kur ne thoshim që duam të çojmë turizmin në Skrapar, njerëzit na thonin kush do të shkojë atje, në një vend që pula hanë gurë. Por, jo, ne ja dolëm të çojmë turistë atje. Prandaj them që duhet bashkëpunim, pasi ne si shoqëri jemi pak individualist”, përfundoi ajo.
Gjithashtu, Blerina është autore e 3 fushatave promovuese për vendin tonë në aspektin turistik si “Shqipëria e pashembullt, e jashtëzakonshme dhe autentike”, “Qëndroni të sigurt tani dhe vizitoni shqiptarët më vonë” dhe “Be Taken by Albania”.
Ago është angazhuar për të shpëtuar ekosistemin natyror të kanioneve të Osumit nga ndërtimi i hidrocentraleve, në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin kombëtar dhe ndërkombëtar. Ajo shquhet për forcimin e bashkëpunimit të sektorit të turizmit në rajon, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe kontributin në hartimin e kuadrit ligjor për turizmin aktiv brenda standardeve ndërkombëtare.

