"Dita e Verës", elbasanasit rrëfejnë sekretet e ballokumes
“Dita e Verës” është festa pagane që lajmëron ringjalljen e natyrës. Në vitin 2005 me vendim qeverie kjo festë u shpall festë kombëtare. Por ajo prej shekujsh festohet në vendin tonë. Elbasani është zemra e saj. Kjo ditë simbolizon ikjen e dimrit të acartë dhe çeljen e luleve. Kjo festë tanimë festohet edhe në qytete të tjera si Dibër, Skrapar etj.
Vende të ndryshme e festojnë në mënyra të ndryshme bazuar në traditat dhe kulturat e secilit prej tyre. Besa Vila, një mësuese nga Elbasani e ftuar në emisionin “Jeto me Orrën” na rrëfeu se përgatitjet për këtë festë nisin dy javë para. Sipas traditave të Elbasanit djali është ai që i dërgon “hiset” tek të afërmit e tyre.
Raxhi Rakimi na tregoi gjithashtu që zjarri që ndizet në këtë ditë kapërcehet nga fëmijët duke kërcyer e kënduar, gjë e cila tregonte ikjen e dimrit dhe ardhjen e verës. Në këtë ditë simbolike njerëzit gatuajnë ballokume dhe revani gjë cila sipas traditave të elbasanllinjve tregonte ikjen e së keqes dhe ardhjes e haresë dhe gëzimit.
Në lidhje skype ishte Elona Cehu një vlogere nga Elbasani e cila prej 10 vitesh jeton ne Romë. Edhe pse ka vite që është larguar na tregoi se vazhdon akoma ta festojë këtë ditë kaq të rëndësishme për ta.
Elona Cehu u shpreh se “Gjatë kohës që ballokumet gatuhen gjyshet tona i këndojnë këngë të ndryshme”.
Një tradite mjaft interesante në qytetin e Elbasanit është se ata lajnë fytyrën me ujin e vezëve të ziera si dhe me qumësht, e cila shërben për zbardhjen e fytyrës dhe mbarësi.
Një tjetër symbol i kësaj dite të shënuar është edhe “verorja” e cila bëhet me pe të bardhë dhe të kuq të cilat përcjellin fat edhe mbarësi. Ato mbahen në dorë në trajtën e një byzylyku dhe hiqen më datë 22 mars duke i varur kështu në një degë trëndafili.
