Grida Duma: Bashës i kemi lënë kohë deri nesër për të bërë hap pas, e vetmja zgjidhje komisioni PD-Foltore
Prej tre ditësh Partia Demokratike ka rënë në qetësi pas debateve për dorëheqjen e Lulzim Bashës.
Kërkesës së deputetëve për tu larguar, kryetari i selisë blu iu përgjigj me kryetarët e degëve, një pjesë e të cilëve këmbëngulën të qëndronte.
Por Grida Duma shprehet se Basha është regjistruar me zë, kur ka deklaruar se nuk do të qëndrojë në krye të selisë dhe afati sipas saj skadon të enjten.
"Deputetët i kanë lënë kohë deri ditën e nesërme Lulzim Bashës, siç e dhe ai e kërkoi në mbledhjen e grupit parlamentar. Disa e kanë në memorie, disa e kanë të regjistruar që Lulzim Basha tha: Hapi im pas dhe tërheqja ime është e padiskutueshme, unë e kam marrë atë vendim, do tërhiqem. PD nuk mund të zvogëlohet më."
Sa i përket drejtuesve të degëve, Duma në deklaratën e dhënë në Elbasan shton se drejtuesit e rretheve janë keqpërdorur.
"Asnjë mekanizëm, qoftë ky edhe i keqardhjes së disa individëve, që në shumicën e asaj salle janë të emëruar dhe jo të zgjedhur me votë, me gjithë respektin që kam për ta."
Zgjidhja sipas të pakënaqurve nga rezultati i votimeve të 6 marsit mbetet një Komision i përbashkët me mbështetësit e Berishës.
"Ndërtimi i një trupe apo Komisioni me bazë të gjerë që përfshin deputetët e grupit parlamentar të PD dhe deputetëve që janë sot te grupimi i Foltores."
Tensionet në selinë blu u rritën pas rezultateve në gjashtë bashki, ku PD u rendit forcë e tretë.

