Vranë shokun e fëmijërisë, dënohen me nga 18 vite burg Sokol Sanxhaktari dhe Adriano Hajdari
Sokol Sanxhaktari dhe Adriano Hajdari janë dënuar me nga 18 vite burg secili, pasi janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Elbasanit për vrasjen me dashje të Florian Lamçes me 30 korrik të 2020-ës.
18 vite burg ka vendosur Gjykata e Elbasanit për Sokol Sanxhaktarin, i cili ekzekutoi me 30 korrik të vitit 2020 shokun e tij të fëmijërisë Florian Lamçen.
Po me 18 vite heqje lirie u dënua edhe i akuzuari tjetër për ngjarjen në fjalë, Adriano Hajdari.
Të dy janë shpallur fajtorë për akuzën e “vrasjes me dashje kryer në bashkëpunim”.
Veç dënimit me nga 18 vite burg, ndaj Sanxhaktarit dhe Hajdarit gjykata ka vendosur edhe masën që ata nuk mund të lirohen me kusht.
Më herët në pretencën e saj prokuroria kishte kërkuar nga 20 vite burg për secilin.
Ndërsa për shtetasit Amadeus Lamçja dhe Mehmet Muça rëndojnë akuzat për "moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës", "deklarim i rremë përpara oficerit të Policisë Gjyqësore", gjykata vendosi nga 5 vjet burgim.
Në deklarimet e para dhënë në polici menjëherë pas ngjarjes së rëndë, ku Florian Lamçja u vra duke u goditur me një shishe dhe me mjete të tjera, Sokol Sanxhaktari kishte deklaruar se nuk e mban mend momentin e vrasjes pasi ishte nen efektin e alkoolit.
"Nuk më kujtohet se çfarë ka ndodhur. Nuk e mbaj mend se përse e kam qëlluar Florian Lamçen”-kishte thënë ai para bluve të Elbasanit.
Sipas të dhënave të policisë viktima ishte konfliktuar me Adriano Hajdarin, 42 vjeç dhe Sokol Sanxhaktarin, 34 vjeç, ku ata u qëlluan me shishe dhe mjete të forta, dhe plagët i morën jetën 40 vjeçarit.
Viktima, Florian Lamçe, i njohur edhe me nofkën “Flor Qorri”, ka qenë i dënuar me 3 vite burg për pengim të drejtësisë dhe i hetuar për dy plagosje.
Ai ishte vëllai i Olti Lamçes, i dënuar me 24 vite burg për vrasjen e Almir Canit, pronar i një diskoje, ngjarje e vitit 2012.
Sokol Sanxhaktari është një emër i njohur në Elbasan, ndërsa është edhe dhëndri i ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini.


