Zelensky në Kongresin Amerikan: A është e tepërt të kërkojmë një ndalim fluturimi mbi Ukrainë për të ndalur terrorin?

Presidenti i Ukrainës Zelensky gjatë një adresimi në Kongresin amerikan falënderoi presidentin Biden, por i tha këtij të fundit se udhëheqësi i botës duhet të sigurojë paqe.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky iu adresua të mërkurën Kongresit Amerikan ku tha se ishte mirënjohës për ndihmën e SHBA-ve, por sipas tij ka nevojë për më shumë.

Kreu i shtetit ukrainas falënderoi edhe presidentin Biden personalisht, por i tha këtij të fundit se të qenit udhëheqës i botës, do të thotë të jesh udhëheqës i paqes.

Zelensky: Paqja në vendin tuaj nuk varet më vetëm nga ju dhe nga populli juaj. Kjo varet nga ata që keni pranë, nga ata që janë të fortë. I fortë nuk do të thotë i madh. I fortë është të jesh trim dhe i gatshëm të luftosh për jetën e qytetarëve të tu dhe atyre të botës. President Biden, ju jeni udhëheqësi i kombit tuaj. Shpresoj se do të bëheni edhe udhëheqësi i botës. Të jesh udhëheqës i botës do të thotë të jesh udhëheqës i paqes.

45-vjeçari iu tha kongresmenëve që të ndalonin fluturimet mbi Ukrainë, ose të paktën të siguronin më shumë mjete ushtarake mbrojtëse.

Zelensky: A është e tepërt të kërkojmë një ndalim fluturimi mbi Ukrainë për të ndalur terrorin? Nëse po atëherë ne kërkojmë më shumë avionë dhe sistem mbrojtjeje moderne. Unë jam mirënjohës për çfarëdo që keni bërë, por ne kemi nevojë për më shumë.

Presidenti ukrainas u tha amerikanëve se atë që po përjetojnë ukrainasit sot, amerikanët e provuan kur u sulmuan Kullat Binjake në 11 shtator 2001.