Negociatat, Lavrov: Diskutime për status të Ukrainës ngjashëm me Austrinë apo Suedinë

Rusia dhe Ukraina janë afër një marrëveshjeje për statusin neutral, thotë ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Kryediplomati rus thotë se statusi është krahasueshëm me Suedinë apo Austrinë dhe po diskutohet seriozisht.

Lufta në Ukrainë ka hyrë në javën e saj të tretë këtë të mërkurë.

Në horizont duket edhe një fije shprese për armëpushim. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se bisedimet e paqes me Rusinë po fillonin të "dukeshin më realiste" por se "duhen ende përpjekje dhe nevojitet durim," sipas tij.

Nga ana e Rusisë, ministri i Jashtëm Sergei Lavrov ka folur për "statusin neutral” të Ukrainës ngjashëm me atë të Austrisë apo Suedisë.

Ai tha se tani po diskutohet seriozisht edhe për garancitë e sigurisë. Çështjet e shtruara në tavolinën e negociatave mes palëve përfshijnë statusin e gadishullit të Krimesë, të aneksuar nga Rusia në vitin 2014, si dhe republikat e vetëshpallura në Luhansk dhe Donetsk.

Statusi i neutralitetit të Ukrainës është artikuluar edhe më herët nga presidenti Zelenski.

Ndërkohë, Podiliak, këshillëtar i presidentit ukrainas, ka shtuar se një marrëveshje paqeje duhet të jetë e detyrueshme për t’u zbatuar nga palët garante dhe ato që do të firmosin.  

Këtë të mërkurë, Amerika ka alokuar një fond prej 13,6 miliard dollarësh mbështetje për Ukrainën.

Ministri estonez i Mbrojtjes, Kalle Laanet, ka folur për vendosjen e trupave paqeruajtës të OKB-së si një nga mundësitë që mund të ndihmojë Ukrainën, por Rusia është vend anëtar i Këshillit të Sigurimit dhe mund të vërë veton për një kërkesë të këtillë.