Rusia-luftëtarëve të huaj: E dimë ku ndodheni, s’do kemi mëshirë

Në ditën e 19 të luftës, ndërsa ende nuk ka një marrëveshje megjithëse janë mbajtur disa takime, Rusia i ka shpallur tashmë luftë edhe mercenarëve që luftojnë në Ukrainë duke i kërcënuar se nuk do të ketë mëshirë për asnjë prej tyre.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka kërcënuar të gjithë mercenarët e huaj se nuk do të ketë mëshirë për asnjë pavarësisht se nga vijnë.

Ministria e Mbrojtjes: Ne i dimë të gjitha vendndodhjet e mercenarëve të huaj në Ukrainë. Ata do të vijojnë të jenë në shënjestrën tonë. Ju paralajmërojmë se nuk do të ketë mëshirë për asnjë prej jush.

Mbrojta ruse ndërsa raportoi shkatërrimet ushtarake të palës ukrainase u zotua që të hidhte në erë fabrikat e prodhimit të industrisë mbrojtëse ukrainase që prodhojnë armë.

Ministria e Mbrojtjes: Ne u bëjmë thirrje qytetarëve të Ukrainës që punojnë në ndërmarrjet e industrisë së mbrojtjes, si dhe banorëve të ndërtesave të banimit aty pranë, të largohen nga zonat e rrezikshme, pasi do të marrim masat për të shkatërruar fabrikat e prodhimit të armëve.

Gjatë së hënës, pala ukrainase dhe ajo ruse mbajtën negociatat e radhës përmes video konferencës, për të cilat thanë do të vijojnë sërish të martën.

Sipas medieve bombardimet ruse në disa qytete kanë qenë tepër masive të hënën e sidomos në qytetin port të Mariupollit.

Bombardimet ruse të disa qyteteve kanë qenë aq intensive që civilët e vdekur po varrosen në varre masive , duke përfshirë në Mariupol.

E po ashtu, pala ruse pretendon se ushtria ukrainase ka vrarë dhjetëra persona në rajonet e kontrolluara nga rusët në Donjeck.