Dita e 18-të e agresionit rus në Ukrainë, trupat e Putinit i afrohen Kievit, kërcënojnë dërgesat e armëve nga Perëndimi
Luftimet në Ukrainë vazhdojnë të jenë të ashpra në disa rajone të vendit në ditën e 18 të ndërhyrjes ushtarake ruse.
Këto të fundit vazhdojnë të mbajnë të rrethuar Kievin, ndërsa CNN raporton se sulmet ajrore ruse goditën një bazë ushtarake pranë qytetit veriperëndimor të Lviv.
Të premten, forcat ruse sulmuan aeroportet në perëndim të vendit, të cilat më parë ishin kursyer nga konflikti.
Dëme të konsiderueshme u shkaktuan në aeroportin në Lutsk në veriperëndim të Ukrainës, rreth 70 milje nga kufiri polak. Guvernatori i rajonit të Volyn tha se dy persona u vranë pasi katër raketa ishin lëshuar nga një bombardues rus të premten.
Re të mëdha tymi u ngritën gjithashtu nga fusha ajrore ushtarake në Ivano-Frankivsk, në Ukrainën perëndimore, e cila u godit nga raketa.
Shpërthime të shumta u dëgjuan nga ekipet e CNN në terren pak para orës 6 të mëngjesit në periferi të qytetit veriperëndimor Lviv, që është kthyer në një pikë kalimi për personat e zhvendosur nga lufta.
Mediet amerikane raportojnë se trupat ruse po i afrohen Kievit në një betejë e cila po shoqërohet me shkatërrime të konsiderueshme.
Pjesa më e madhe e forcave tokësore ruse janë rreth 25 kilometra nga qendra e kryeqytetit ukrainas, tha të shtunën Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
Sulmet ruse vazhdojnë të godasin zonat civile. Fotot e postuara në mediet sociale, të verifikuara nga CNN, tregojnë dëme të mëdha në komplekset e apartamenteve të banimit, shkollat dhe një objekt mjekësor.
Rusia ka kërcënuar se do të qëllojë mbi dërgesat e armëve në Ukrainë, duke thënë se autokolonat me armë të huaja mund të konsiderohen "objektiva legjitime".
Paralajmërimi erdhi pasi Shtetet e Bashkuara autorizuan 200 milionë dollarë në ndihmë dhe shërbime "të menjëhershme" të mbrojtjes, duke përfshirë "sisteme kundër mjeteve të blinduara, sistemi sulmi anti-ajror dhe armë të vogla.
Ish-presidenti amerikan Donald Trump tha së fundi se situata në Ukrainë mund të çojë në një luftë të tretë botërore.
"Nëse mendoni se Putini do të ndalojë, atëherë ai nuk do ta bëjë këtë. Do të bëhet gjithnjë e më keq. Dhe ne nuk kemi dikë të flasë me të. Dikur ishte një person i tillë, isha unë, askush nuk ka qenë aq i ashpër me Rusinë”, është shprehur Trump.

