Raketat balistike goditën konsullatën amerikane ne Irak: Sulmi erdhi nga Irani

Disa raketa kanë goditur Erbilin, kryeqytetin e rajonit autonom kurd në veri të Irakut, raportoi të dielën media shtetërore duke cituar guvernatorin e qytetit.

Sulmet me raketa që goditën kryeqytetin rajonal kurd verior të Irakut, Erbilin të dielën, u nisën nga Irani, tha një zyrtar amerikan për Reuters, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Disa raketa balistike goditën Erbilin në orën 1 të mëngjesit të së dielës, 13 mars duke synuar ndërtesën e re të konsullatës amerikane dhe zonën fqinje të banimit, por shkaktuan vetëm dëme materiale dhe një civil u plagos, tha të dielën ministria e Brendshme kurde.

Një korrespondent i televizionit shtetëror iranian me bazë në Irak tha se raketat kishin për qëllim "bazat sekrete izraelite."

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit e quajti atë një "sulm të egër", por tha se asnjë amerikan nuk u lëndua dhe nuk pati dëme në objektet e qeverisë amerikane në Erbil.

Forcat amerikane të stacionuara në kompleksin ndërkombëtar të aeroportit të Erbilit në të kaluarën janë sulmuar nga sulmet me raketa dhe dron për të cilat zyrtarët amerikanë fajësojnë grupet e milicisë të lidhura me Iranin, por asnjë sulm i tillë nuk ka ndodhur për disa muaj.

Herën e fundit që raketat balistike u drejtuan ndaj forcave amerikane ishte në janar 2020, shkruan Reuters.