Moldavia: Na duhet ndihmë për fluksin e refugjatëve nga Ukraina
Qeveria moldave kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët për përballimin e fluksit të refugjatëve që vijnë nga Ukraina. Kryeministrja e Moldavisë deklaron se në vendin e saj kanë hyrë mbi 270,000 njerëz nga kufiri ukrainas, gjë që e shton shqetësimin e pasojave ekonomike që po shkakton lufta mes Rusisë dhe Ukrainës.
Karvanet e ukrainasve që po tentojnë t’i shpëtojnë luftës që po zhvillohet në vendin e tyre, gjithnjë e më shumë synojnë kufirin me Moldavinë, duke u kthyer në shqetësim për qeverinë atje. Nisur nga situata e krijuar liderja moldave ka bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare, në mënyrë që shteti të përballojë këtë fluks.
Kryeministrja Natalia Gavrilita deklaroi se deri tani në Moldavi kanë hyrë mbi 270,000 njerëz nga kufiri ukrainas.
Po ashtu ajo sqaroi se më shumë se 100,000 njerëz kanë vendosur të qëndrojnë aty, të paktën përkohësisht.
Por për një shtet si Moldavia këto shifra emigrantësh janë të larta.
Gavrilita ka thënë se qytetarët moldavë janë duke ndihmuar në strehimin e refugjatëve, duke shtuar qeveria që ajo drejton është e shqetësuar për pasojat ekonomike të luftës.. e cila është duke goditur rëndë një shtet si Moldavia, ndër më të varfrit në Evropë.
“Neve na duhet ndihmë nga jashtë”, ka thënë mes tjerash ajo.
Moldavia, shtet i vogël me rreth 2.5 milionë banorë, gjendet mes Ukrainës dhe Rumanisë, dhe ka një prej ekonomive më të brishta në Evropë. Numri i refugjatëve ka shënuar së fundmi rritje dhe përbën rreth 4 për qind të popullsisë së saj.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
