Viktimat, përleshjet dhe përpjekjet për evakuim, zhvillimet në ditën e 17-të të luftës Ukrainë-Rusi

Sot lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e saj të 17-të. Në ditën e 17-të BBC sjell një përmbledhje të asaj që ka ndodhur.

Bisedimet diplomatike: Një telefonatë mes liderëve francezë, gjermanë dhe rusë nuk dha ndonjë rezultat konkret. Presidenti Emmanuel Macron dhe kancelari Olaf Schulz kërkuan një armëpushim, por Vladimir Putin nuk tregoi ndonjë vullnet për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, thotë zyra e zotit Macron.

Shifrat e viktimave: Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u tha gazetarëve se rreth 1,300 trupa ukrainase janë vrarë në 17 ditët e para të pushtimit rus. Burimet perëndimore vlerësuan të premten se rreth 6,000 trupa ruse janë vrarë gjithashtu në atë periudhë.

Përpjekjet për evakuim: Korridoret humanitare ishin ngritur nga Mariupol, Sumy dhe qytete e fshatra jashtë kryeqytetit Kiev. Por bombardimet e vazhdueshme ruse në disa vende, përfshirë afër Kievit, i kanë bërë gjërat më të vështira. Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov, i tha BBC-së se një autokolonë ishte nisur nga Zaporizhzhya për në qytet duke transportuar ndihma dhe duke përfshirë autobusë për evakuimet, por nuk ishte e qartë nëse do të kalonte.

Përleshje në afërsi të Kievit: Ndërsa gjërat kanë qenë të qeta në qendër të kryeqytetit, përleshjet kanë vijuar në periferi. Inteligjenca britanike thotë se pjesa më e madhe e forcave ruse janë brenda 25 km nga qendra. Zyrtarët ukrainas kanë frikë se rusët mund të përgatiten për të nisur një sulm në shkallë të gjerë.

Tërbim për rrëmbimin e kryebashkiakut: Qindra banorë kanë dalë në rrugët e qytetit juglindor të Melitopolit për të protestuar kundër rrëmbimit të kryetarit të tij nga forcat ruse. Presidenti i Ukrainës Zelensky kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm dhe akuzoi rusët për "kalim në një fazë të re terrori".