Efekti i protestave ul çmimin e naftës, Bordi i Administrimit të Karburantit: Deri në 15 mars nafta 217 lekë

Në mbledhjen e parë me furnizuesit e naftës në vend, Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit ka vendosur që nga sot deri me 15 mars çmimi i naftës do të jetë 217 lekë, nga 223 që tregonin pikat e karburanteve mëngjesin e kësaj të shtune.

Mbledhja u zhvillua në Ministrinë e Financave.

Vendimi erdhi ndërsa bulevardi dhe sheshi para Kryeministrisë u mbush plot me qytetarë që protestuan kundër rritjes së çmimeve në vend.

Vendimi i qeverisë

Në mbledhjen e tij të datës 12 Mars 2022 Këshilli i Ministrave,  miratoi  Aktin Normativ

“PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN 8450, DATË 24.2.1999 “PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS TË GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”.

Nëpërmjet këtij akti normativ normohen dhe monitorohen çmimet e shitjes së nënprodukteve të naftës për  konsumatorët.

Në zbatim të këtij Akti Normativ u mblodh menjehere Bordi i Transparancës dhe kufizimit të përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit.

Në mbledhjen e tij të parë, dhe bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ vendosi:

1.       Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 12 Mars-15 mars 2022,  të  jetë 217 lekë/litri.

2.       Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228  për periudhën 12 Mars-15 mars 2022,  të  jetë 217 lekë/litri.

3.       Çmimi i shitjes me pakicë të  nënproduktit gaz për periudhën 12 Mars-15 mars 2022,  të jetë 93 lekë/litri.

Bordi mblidhet sërish të martën

Bordi i Transparancës do mblidhet përsëri ditën e martë, 15 mars, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Nortmativ.