U kthye nga Italia për të jetuar në fshat, flet Rigerta Tushaj që përloti parlamentin: Besoj se ka shpresa që ky vend të bëhet

“Situata më doli jashtë kontrolli, por doja të sillja fshatin tim në atë foltore”, kështu është shprehur ditën e sotme në emisionin e pasdites “Jeto me orën” në RTV, Gerta Tusha në lidhje “Skype” nga Mirdita për fjalimin e saj të vitit 2017 në foltoren e Parlamentit Shqiptarë.

“Ti nuk do ta besosh kurrë, por unë se kam dëgjuar asnjëherë fjalimin tim, që kam mbajtur në kuvend në vitin 2017. Pasi jam shumë kritike me veten, por aty u ndjeva jashtëzakonisht mes një mori emocionesh. Kanë kaluar vite tashmë, edhe e shoh shumë më ftohtë atë gjë, tani vitet kanë kaluar. Më vjen të qesh, pasi të shumtë ishin ata njerëz që u morën me mua. Unë isha thirrur aty, për të thënë eksperiencën time. Jam dakord që situata më doli jashtë kontrolli, por doja të sjell fshatin në atë foltore. Isha e bindur se s’do vija më aty në atë foltore, por do doja të thosha gjithçka aty, thash me vete tani është momenti o kurrë”, u shpreh Tusha.

Ajo është një e re shqiptare e cila zgjodhi të rikthehet në Shqipëri të ndërtojë jetën e saj edhe pse u shkollua jashtë.

Ajo e nisi bisedën në studio duke treguar se rikthimi në vendlindje nuk është një vendim që të jetë penduar, pavarësisht se në Itali ka lënë një pjesë të rëndësishme të saj, tha ajo. 

“Me Italinë nuk jam shkëputur totalisht asnjëherë, pasi atje kam lënë një copë të zemrës. Përpos të gjithave nuk jam penduar që jam rikthyer, pasi këtu ku jam jemi munduar të arrijmë atë që duam. Të shumtë janë ata të cilët na thonë që rikthehuni në Itali, por ne këtu ndihemi shumë mirë”, tha Tusha.

 “Sfida më e madhe ka qenë që shumë herë nuk jam kuptuar, nga ndjekësit e mi. Kaq pak sa e njohur jam, por unë dua të më kuptojnë. Unë jam Gerta, jam kjo që jam. Jam e angazhuar, por thjeshtë dua të ruaj natyralitetin tim dhe ti bëj gjërat ashtu siç unë i mendoj edhe i perceptoj”, tha ndër të tjera ajo.

Ajo nuk qëndroi larg komenteve të angazhimit politik, ku për këtë të fundit tha se jam pro figurave të reja politike. “Unë mbështes të rinjtë, vetëm këto mund të na çojn përpara, nuk dua të përfshihem tek të vjetrat. Këtu tek ne nuk është mirë mekanizmi që aplikojmë për të votuar. Çdo ditë bëj politikën që unë mendoj, por këtë jot ë gjithë e kuptojnë”, përfundoi ajo.

Rigerta Tusha zgjodhi të kthehej në Shqipëri pasi mbaroi studimet për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në  universitetin  “La Sapienza”, në Itali. Kanë kaluar 10 vite që është kthyer në Shqipëri. Sot nuk është më në parlament por Rigerta mbetet serish e gjithmonë një zë i furishëm e cila e vazhdon ta ngrejë zërin për problematika të ndryshme.