“Do fle herët Belinda të premtoj”, qytetarët të revoltuar në protestë: Po na vrasin, jemi drejt shpërbërjes si komb

Qindra qytetarë po protestojnë para Kryeministrisë, kundër rritjes së çmimeve së naftës dhe produkteve ushqimore.

Për mikrofonin e Ora News, ata shprehen se rritja e çmimit të naftës, nuk justifikohet me luftën në Ukrainë, ndërsa shtojnë se po detyrohen që të lëvizin me makinë, pasi blerja e karburanteve është e papërballueshme.

“Shpresoj të ketë ulje pas protestave por nuk besoj.“

“Konsiderojmë të vijmë me këmbë ose të shesim makinën. Është bërë shumë e vështirë që të lëvizim me makina.”

"Nuk justifikohet me luftën në Ukrainë. Ne këtu nuk jemi vetëm për çmimin e naftës por edhe për shërbimet. Shpresoj që protesta të sjellë reflektim dhe  çmimet të ulen.  Çmimet janë rritur, por nuk ka pasur rritje pagash. Kemi reduktuar shërbimet e nevojshme. Shpresoj të shkojmë në një ndryshim të politikave. Protesta do i vazhdojmë. “

Një tjetër qytetar thotë se vrasja më e madhe që mund t’i bëhet  një vendi është ajo ekonomike, ndërsa shton se në Ukrainë edhe pse ka luftë çmimet janë më të ulëta se në vendin tonë.

Ai kërkon që Rama të japë dorëheqjen, sakaq thekson se vendi ynë është drejt shpërbërjes si shtet.

 “Këtu janë rritur të gjithë ushqimet. Vrasja më e madhe është ajo ekonomike jo ajo që bëhet në Ukrainë. Në Ukrainë është luftë dhe nafta është më e ulët. Më mirë lufta me armë se vrasja e ekonomisë, po ikën rinia. Jemi drejt shpërbërjes si komb. Ne ndryshuam sistemin por nuk kanë ndryshuar njerëzit. Vazhdohet  ende luftë klasash. Ky Rama duhet të japë dorëheqjen. Nuk mjafton vetëm ulja e çmimeve, nuk kemi rritje pagash. Çmimet janë më të larta se në Evropë. Kërkojmë qeveri tranzicioni por jo me këta. Të hapen dosjet."

Qytetarët mbajnë dhe pankarta në duar ku shkruhet:

“Do ndjekë ministren. “Shqipëria kampion bote për çmimin e naftës”  “Do fle herët Belinda ta premtoj”.