Gomonia me 55 klandestinë në 9 janar, kërkohet dënim me burg për 5 ushtarakët e “Pashalimanit” e 3 trafikantët

Prokuroria e Vlorës, ka paraqitur në Gjykatë pretencën kundër grupi të akuzuar për trafikim klandestinësh Sirianë nga Shqipëria drejt Italisë ku mes të pandehurve janë dhe disa efektivë të Flotës Luftarake Detare në Pashaliman.

Ushtarakët dhe trafikantët, u ndaluan për ngjarjen e 9 Janarit 2021, ku në ujërat detare të Gjirit të Vlorës, u bllokua një gomone me 55 klandestinë të kombësive të ndryshme, në tentativë për tu trafikuar drejt Italisë. Prokurori i çështjes, Erion Shqari, lexoi pretencën ndaj 8 të pandehurve, ku 5 prej tyre i përkasin efektivit ushtarak të Bazës Ushtarake Detare të Pashalimanit në Vlorë. Për anëtarët e ekuipazhit të anijes ushtarake “P-116”, Sejfulla Beja, Bledar Bufaj, Roland Cani, Ardit Alikaj, dhe Besmir Meçe, të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, prokurori i ka kërkuar gjykatës deklarimin fajtor dhe dënimin me 1.6 vite burg për secilin prej tyre.

Prokuroria pretendon dhe i akuzon ushtarakët e Flotës që pasi kishin përfunduar operacionin e kërkim shpëtimit, efektivi i anijes “P-116”, ka shkelur rregullat duke i ofruar ndihmë dy skafistëve të cilët më pas janë hedhur në det dhe kanë dalë në breg, duke mos u arrestuar nga policia e Vlorës. 

Megjithëse në këtë gjykim kanë hyrë me gjykim të shkurtuar, pesë ushtarakët në asnjë moment nuk kanë pranuar akuzën e prokurorisë, duke pohuar se mesnatën e 9 janarit, ata kanë shmangur një tragjedi të përmasave të mëdha duke shpëruar nga mbytja e sigurt, gra, burra dhe fëmijë.

 Nga ana tjetër prokuroria pretendon, dhe i akuzon ushtarakët e flotës, se pasi kishin përfunduar operacionin e kërkim-shpëtimit, efektivi i anijes “P-116”, ke shkelur rregullat, duke i ofruar ndihmë dy skafistëve, të cilët më pas janë hedhur në det dhe kanë dalë në breg, duke mos u arrestuar nga policia e Vlorës.

Për trafikantët, Emiljano Lika,  prokuroria kërkoi 9 vite burgim, ndërsa për Fatos Dushën, që strehoi klandestinët në hotelin e tij në Tiranë, u kërkua dënimi me 7.6 vite burgim. E njëjta masë dënimi u kërkua edhe për Qazim Ismailaj, njeri ky që kishte strehuar klandestinët në banesën e tij në Vlorë.

Prokuroria ka kërkuar për:

Emiljano Lika 9 vite burgim

Fatos Dusha 7.6 vite burgim

Qazim Ismailaj 7.6 vite burgim

Sejfulla Beja 1.6 vite burg

Bledar Bufaj 1.6 vite burgim

Roland Cani 1.6 vite burgim

Ardit Alikaj 1.6 vite burgim

Besmir Meçe 1.6 vite burgim