Rama bisedë telefonike me Zelenskyn, ja për çfarë diskutuan. Presidenti ukrainas falenderon Shqipërinë
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe kryeministri Edi Rama kanë zhvilluar një bisedë telefonike lidhur me situatën atje pas pushtimit rus.
Në një postim në tëitter, Zelensky shkruan se Ukraina e vlerëson ndihmën praktike dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë kohë të vështirë.
"Pata një bisedë telefonike me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Folëm për luftën kundër pushtuesve rusë. U diskutua për punën e përbashkët në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Ne vlerësojmë ndihmën praktike dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë kohë të vështirë. Ne po bëjmë gjithçka për t'i dhënë fund luftës".
Edhe kryeministri Rama ka ndarë bisedën telefonike me Zelenskyn
"Sot pata një telefonatë nga Presidenti Zelensky, i cili më falenderoi për gjithçka Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Europën e për mbarë botën, duke nisur nga roli ynë si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm, në mbështetje të Ukrainës.
I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse".
Qytetarët ukrainas kanë filluar të largohen nga qyteti Mariupol.
Ata po evakuohen si pjesë e një armëpushimi të përkohshëm të arritur ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.
Këshilltari i Ministrisë së Brendshme në Ukrainë, Anton Herashchenko, tha të shtunën se do të ketë edhe marrëveshje të mëtejshme me Rusinë për krijimin e korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve.
“Patjetër që do të ketë edhe marrëveshje tjera si kjo për të gjitha territoret e tjera”, tha ai, duke iu referuar një plani ekzistues evakuimi për qytetin e Mariupolit.

