Votimi për kryebashkiakët e rinj, sot heshtje zgjedhore, të dielën zgjedhje në 6 bashki
Pas 2 javëve fushatë, kjo e shtunë shënon heshtje zgjedhore për të gjitha palët politike, që garojnë këtë 6 mars për 6 bashkitë me kryetar të komanduar. Nesër 654,538 shtetas shqiptarë me të drejtë vote do i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë, Shkodër, Dibër dhe Durrës mes kandidatëve të PS, PD e koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’, të cilët do të kenë një mandat 1-vjeçar.
Në orën 7:00 të se dielës, 6 mars, do të nisë votimi në 941 qendra votimi ku do te zhvillohen zgjedhjet për drejtuesit e rinj, të cilët do të drejtojnë për afro një vit punën në 6 bashkitë.
Rreth 655 mijë qytetarë në Durrës, Vorë, Rrogozhinë, Lushnje, Dibër dhe Shkodër kanë te drejtën për të ushtruar të drejten e votës për të zgjedhur të preferuarin e tyre. Ndërsa 10 mijë prej tyre janë votues për herë të parë.
Në orën 19:00 do të mbyllet votimi për 19 kandidatët të cilët janë në garë që më pas në KZAZ të nisë numërimi i votave.
Vora do të jetë e para që do të shpallë rezultatin e para, pasi procesi i votimit dhe numërimit do të jetë elektonik.
Pasi të mbyllet procesi i votimit në orën 20:00 KQZ do të japë edhe fituesin, i cili do të drejtojë këtë Bashki deri në 2023.
Ndërsa në 5 bashkitë e tjera rezultati do të dalë brenda 48 orëve pasi të mbyllet procesi i votimit.
Të gjitha QV-të janë të pajisur me pajisjen PEI për të bërë të mundur identifikimin elektronik të zgjedhësve për të shmangur edhe votimin e shumëfishtë.
Kandidatët e PD
Bashkia Shkodër, Xhemal Bushati,
Bashkia Durrës: Luan Hoti
Bashkia Lushnjë: Indrit Sefa,
Bashkia Dibër: Luan Haka
Bashkia Rrogozhinë: Ferdinand Saraçi
Bashkia Vorë: Ymer Marku.
Kandidatët e PS
Për Bashkinë Durrës: Emirjana Sakon
Për Bashkinë Shkodër: Majlinda Angonin
Për Bashkinë Dibër: Rrahim Spahiun
Për Bashkinë Rrogozhinë: Edison Memolla
Për Bashkinë Vorë: Blerim Shera
Për Bashkinë e Lushnjës: Eriselda Sefa
Kandidatët e Shtëpisë së Lirisë
Bashkia Shkodër: Bardh Spahia
Bashkia Durrës: Ardian Muka
Bashkia Lushnjë: Eton Bano
Bashkia Dibër: Premtim Kryemadhi
Bashkia Rrogozhinë: Hekuran Xhani
Bashkia Vorë: Lulzim Vrana