Dy vrasës për rapsodin e mikun e tij, ekspertiza rrëzon pretendimet e Edmond Përdodës se ishte i vetëm
Dy kallashnikovët me të cilët u ekzekutuan rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni në prill të vitit 2020 në Lezhë janë përdorur nga dy persona të ndryshëm. Ekspertiza e armëvve të zjarrit ka rrëzuar kështu pretendimet e 39-vjeçarit Edmond Përdoda se veproi i vetëm për të shfajësuar vëllain po ashtu të arrestuar.
Rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni të vrarë në prill të vitit 2020 në Lalm Lukaj të Lezhës u ekzekutuan me dy armë zjarri, të cilat u përdorën nga dy persona të ndryshëm.
Ky është përfundimi i ekspertëve të kriminalistikës pas ekzaminimit të armëve të zbuluara pas dëshmisë së Edmond Përdodës, i cili tregoi vendin ku ishin fshehur pasi u vu në pranga në janar.
Ekspertiza ka provuar se një prej armëve është përdorur nga 39-vjeçari, por e dyta ka gjurmë që dyshohet se i përkasin të vëllait Aleksandër Përdoda, po ashtu i arrestuar në lidhje me vrasjen e dyfishtë.
Rezultatet që hedhin poshtë kështu pretendimet e 39-vjeçarit për të shfajësuar të vëllanë, duke deklaruar se veproi i vetëm mësohet se u janë bërë të ditura edhe të dyshuarve.
Por edhe përballë aktit shkencor të ekspertimit, Aleksandër Përdoda ka mbajtur qëndrim mohues për përfshirje.
Kol Murrani bashkë me shokun e tij, Preng Simoni u ekzekutuan më 27 Prill të vitit 2020 në fshatin Lalm Lukaj ku kishin shkuar për të vizituar banesat e vjetra.
Trupat e viktimave janë lënë në pyll për rreth 5 orë dhe janë gjetur nga djali i Kol Murranit, që kishte dalë të kërkonte babanë me të cilin kishte humbur çdo kontakt prej orësh të tëra.
Nga veprimet hetimore dyshohet se krimi i dysfishtë ndodhi për çështje pronësie, por Edmond Përdoda që ka marrë i vetëm përsipër autorësinë, ka deklaruar vetem se vrasjen e kreu për çështje familjare.

