Arrestohet 61-vjeçari që masakroi familjen shqiptare, ekspertiza: Çifti u vra me armë zjarri, dy fëmijët u mbytën
Policia greke ka vënë në pranga autorin e dyshuar të ekzekutimit të katër anëtarëve të familjes shqiptare Kloci në Adhravidha të Greqisë.
61-vjeçari, i cili ishte pronari i shtëpisë ku jetonin çifti dhe fëmijët vrarë, u arrestua nga një patrullë policie në një zonë pak jashtë Patrës, ku po lëvizte me makinën e tij.
Pasi u arrestua, u dërgua në komisariatin e Akaisë ku dhe po mbahet.
Në të njëjtën kohë, forcat speciale të policisëkanë kryer një kontroll të gjerë në shtëpinë e tij, pasi ka pasur raportime për një person që kishte hyrë brenda.
Policia ishte vënë në kërkim të autorit të dyshuar të vrasjes së katërfishtë prej të mërkurës, kur edhe ndodhi krimi i rëndë.
Sipas informacioneve, 61-vjeçari është lokalizuar mbrëmjen e së premtes në një zonë të Ilisë dhe është vënë menjëherë nën vëzhgimin e policisë.
Më pas efektivët e policisë e kanë ndjekur makinën e tij gjatë udhëtimit për në Patra, ndërsa forcat e tjera të policisë janë mobilizuar.
Kur 61-vjeçari mbërriti në Patra, u nis drejt rrugës Eleftheriou Venizelou.
Në lartësinë e stadiumit Pampeloponnisia efektivët e policisë që ndodheshin në vendngjarje ndaluan makinën që drejtohej nga 61-vjeçari dhe e sollën në komisariat.

Prindër të ekzekutuar dhe fëmijë të mbytur, rezultati i ekspertizës mjeko-ligjore
Pasditen e të premtes dolën rezultatet e ekspertizës-mjekoligjore të katër trupave të pajetë.
Shefja e shërbimit mjeko-ligjor të Patrës, Angeliki Tsiola, tha se “si trupi i babait 32-vjeçar dhe trupi i nënës 37-vjeçare kishin lëndime në kokë nga një goditje e shkurtër me armë zjarri me tytë”.
Lidhur me dy fëmijët, përkatësisht tre dhe dy vjeç, Tsiola tha se “shkaku i vdekjes së të dyve është mbytja nga bllokimi i hapjeve të jashtme të rrugëve të frymëmarrjes”.
Sai takon kohës së vdekjes së katër anëtarëve të familjes, ajo deklaroi se “nga koha e autopsisë së parë në shtëpi, pra rreth orës 9:30 të së mërkurës së kaluar mbrëma, kishin kaluar rreth katër orë e gjysmë deri në pesë nga koha e vdekjes”.
Janë marrë edhe gjurmë të ADN-së për të shfrytëzuar këtë informacion për identifikimin e autorit të krimit.
Motivi i vrasjes
Shkaqet e vërteta të masakrës mbeten ende mister. Por krimi duket se është i paramenduar. Me qëllim që autori të “zhdukte” gjurmët e familjes së vrarë, kishte nisur t’i “ngarkonte” kufomat në rimorkio për t’i transportuar.
Sipas informacioneve, familja i kishte borxh një qira . Mirëpo, informacionet thonë se 61-vjeçari ka dashur t'i dëbojë pa skaduar qiraja.
Tronditëse dëshmia e shokut të 12-vjeçarit të mbijetuar
Tronditëse është dëshmia e shokut të djalit 12-vjeçar të familjes, i vetmi i mbijetuar. Ata kanë qenë bashkë në momentin e zbulimit të tmerrshëm.
“Ne dolëm për shëtitje pasdite dhe në një moment shkuam bashkë në shtëpinë e tij për të marrë diçka që ai donte. Ai trokiti në derë, por askush nuk e hapi. Dhe ai më thotë të pres se do të hyjë nga dritarja. Befas më thotë “hajde shpejt, diçka i ka ndodhur nënës”. Hyra nga dritarja, kërkuam nëpër shtëpi dhe shohim fëmijën në krevat fëmijësh dhe menduam se po flinte. Pastaj pamë gjak në dhomën ku flinin prindërit. Por anëtarët e tjerë të familjes nuk i pamë në shtëpi. Më pas dola dhe shoku im doli duke mbajtur vëllain e tij, i cili kishte shenja të kuqe të ndezura në qafë dhe gjak në gojë”.
Në Adhravidha ka shkuar edhe babai biologjik i 12-vjeçarit të mbijetuar nga masakra, për ta marrë me vete në Athinë ku jeton dhe punon.

