Takimi i ministrave të Jashtëm të NATO-s, Xhaçka: Shqipëria rol domethënës në mbështetje të Ukrainës
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka dalë në një deklaratë për mediat pas takimit të jashtëzakonshëm të ministrave të Punëve të Jashtëm të vendeve të NATO-së.
Ajo u shpreh se në këtë mbledhje është konfirmuar vendosmëria e aleatëve për të mbështetur Ukrainën, dhe se Gjykata Ndërkombëtare penale, do ta hetojë për krime lufte agresionin rus.
Ndër të tjera ajo tha se Shqipëria ka luajtur një rol domethënës në të gjitha përpjekje për të mbështetur Ukrainën në këtë luftë.
Olta Xhaçka: Në takimin e jashtëzakonshëm të ministrave të Punëve të Jashtëm të vendeve të NATO-së, sot u konfirmua me forcë vendosmëria e aleatëve për të mbështetur popullin e Ukrainës në luftën heroike që ka fituar admirimin dhe respektin e të gjithë botës. Shumë vende evropiane vetë BE, SHBA, kanë ndërmarrë masa në mbështetje të popullit të Ukrainës që do të kishin qenë të paimagjinueshme pak muaj më parë duke i furnizuar me armatime, duke kaluar disa paketa sanksionesh masive që po i japin goditje shumë të rënda Rusisë, duke ia rritur në mënyrë të jashtëzakonshme koston e këtij agresioni kriminal që tashmë me bashkëpunimin e Shqipërisë i është referuar Gjykatës Ndërkombëtare për të hetuar për krime luftë. Shqipëria ka luajtur një rol domethënës në të gjitha këto përpjekje për të mbështetur Ukrainën edhe me ndihmë materiale konkrete e sidomos në fushën e diplomacisë.
