Bazat e degraduara të Lezhës, vendstrehimet për mbrojtjen civile, tunelet e bunkerët jashtë funksioni
Bazat e mbrojtjes civile nëntokësore në Lezhë kanë degraduar të gjitha. Ato u ndërtuan për të mbrojtur qytetarët, nga sulmet e jashtme, ndërsa mungesa e mirëmbajtjes së tyre ka bërë që ato të dalin jashtë funksionit.
Lufta në kufijtë e Evropës Lindore ka kthyer vëmendjen tek bazat ushtarake, tunelet, bunkeret dhe objektet e tjera që mund të përdoren për mbrojtje civile.
Rajoni i Lezhës është një zonë e pasur në këtë drejtim.
Por mungesa e vëmendjes përgjatë viteve të demokracisë ka sjell degradimin e tyre.
Eksperti i Sigurisë, Paulin Marku thotë se dy bazat ushtarake dhe objektet e strehimit të popullatës në kohë lufte janë totalisht jashtë funksioni.
“Kemi një transformim total të strukturës dhe kapaciteteve mbrojtëse strategjike të bazave të reparteve ushtarake.”- tha Paulin Marku.
Marku shton se buxheti i shtetit për mbrojtjen duhet të jetë efikas dhe jo të përdoret për fasade, siç ka ndodhur deri tani.
“Sot më shumë se kurrë buxheti i shtetit i përdorur enkas për Ministrinë e Mbrojtjes të jetë efikas dhe t’u shërbejë kapaciteteve mbrojtëse.”- shprehet ai.
Në territorin e Bashkisë Lezhë ndodhen Baza Ushtarake Detare e Shëngjinit dhe ajo Ajrore e Gjadrit, si dhe një sërë tunelesh e bunkerësh për strehimin e popullatës në rast lufte, por prej vitesh nuk janë funksionale.

