Rreth 9 mijë njerëz mund të largohen nga Mariupoli nëse armëpushimi qëndron
Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov, tha të shtunën më 5 mars se deri në 9 mijë qytetarë ukrainas mund të largohen nëse armëpushimi qëndron.
“Negociatat e armëpushimit vazhduan gjatë natës”, tha Orlov për BBC.
“Ne filluam menjëherë procedurën tonë për të provuar të evakuojmë njerëzit. Kemi rregulluar 50 autobusë dhe mendojmë se 5000-6000 njerëz mund të dalin me autobus për në Zaporizhja. Besojmë se njerëzit mund të largohen edhe me makinë private”, tha ai.
“Ne mendojmë se gjithsej 7 mijë deri në 9 mijë njerëz mund të ikin me autobus dhe me makinë private, nëse armëpushimi qëndron. Nuk ka trena që qarkullojnë sepse infrastruktura hekurudhore është shkatërruar nga trupat ruse”, shtoi ai.
Orlov tha se nuk kanë garanci nga pala ruse se armëpushimi do të vazhdojë edhe nesër.
“Nuk kemi garanci nga pala ruse se armëpushimi do të vazhdojë edhe nesër. Ne po punojmë për këtë tani. Duhet të kuptoni që qyteti ka katër ditë që ka mbetur pa infrastrukturë, kështu që është e vështirë tu japim njerëzve informacione."
Mariupol është bllokuar prej disa ditësh nga forcat ruse. Armëpushimi është në fuqi edhe për qytetin e vogël, Volnovakha.
