Vendoset armëpushim i pjesshëm në Ukrainë, hapen korridoret humanitare në dy qytete në lindje

Pas afro 10 ditësh luftë Rusia ka shpallur armëpushimin e përkohshëm për dy qytete në lindje të Ukrainës për të krijuar korridoret humanitare për civilët, evakuimi i tyre ishte pjesë e marrëveshjes mes Moskës dhe Kievit ditën e enjte.

Rusia ka shpallur regjimin e armëpushimit të përkohshëm për t’u dhënë mundësi civilëve që të dalin nga vendi përmes qyteteve Mariupollit dhe Vollnovankas në rajonin e kontrolluar nga separatistët pro-rusë, Donjeck.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes, e cila shtoi se hapja e korridoreve humanitare për civilët ishte pjesë e marrëveshjes me palën ukrainase në takimin e së enjtes në Poloni.

Më herët, këshilltari i presidentit ukrainas Vollodimir Zellenski tha se rreth 20 mijë civilë duan të largohen nga Vollnovanka dhe 200 000 nga Mariupoli.

Ndërkohë siç bëhet me dije nga mediet ndërkombëtare regjimi i armëpushimit do të zbatohet vetëm në dy qytetet Mariupoll dhe Vollnovanka, ndërsa në të gjithë pjesën tjetër të vendit situata do të vijojë të jetë e njëjtë.

Agjencia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka bërë me dije se më shumë se një milion persona janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmit nga ana e Rusisë.