Macron kërkon takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për sigurinë bërthamore në Ukrainë

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të premten se ishte jashtëzakonisht i shqetësuar për rreziqet për sigurinë bërthamore, sigurinë dhe zbatimin e masave mbrojtëse ndërkombëtare që rezultojnë nga pushtimi rus i Ukrainës.

Macron shtoi se Franca, së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë, kanë bërë thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për këtë çështje.

“Presidenti i Republikës dënon fuqishëm çdo sulm ndaj integritetit të objekteve bërthamore civile ukrainase të shkaktuar nga forcat ruse gjatë agresionit të tyre ushtarak. Është e domosdoshme të garantohet siguria e tyre”, thuhet në deklaratën e Elysee.

Presidenti francez i bëri thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë veprimet e saj të paligjshme dhe të rrezikshme ushtarake në mënyrë që të lejojë kontrollin e plotë nga autoritetet ukrainase mbi të gjitha objektet bërthamore brenda kufijve të njohura ndërkombëtarisht të Ukrainës.

“Rusia duhet gjithashtu të lejojë akses të lirë, të rregullt dhe të papenguar të personelit në objekte për të siguruar funksionimin e tyre të vazhdueshëm në mënyrë të sigurt” - theksohet në deklaratën e Elysee.

Presidenca franceze shtoi se Macron pati një telefonatë me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Macron mbështeti përpjekjet e agjencisë në favor të sigurisë dhe sigurisë së objekteve bërthamore në Ukrainë.

Sipas deklaratës, Franca do të propozojë në orët e ardhshme me partnerët e saj kryesorë, në bazë të kritereve teknike të IAEA-s, masa konkrete për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e pesë vendeve kryesore bërthamore të Ukrainës.