Zelensky kritikon NATO-n: Dha dritën jeshile për bombardime të mëtejshme. Njerëzit do vdesin për fajin tuaj
Ministrat e Jashtëm të NATO-s u takuan në Bruksel hodhën poshtë kërkesën e Ukrainës për krijimin e një zone të ndaluar fluturimesh, duke thënë se aleanca po rrit mbështetjen, por se ndërhyrja direkte do të çonte në një luftë evropiane më të gjerë.
Përmes një fjalimi emocional Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky dënoi vendimin e NATO-s
“NATO ka vendosur qëllimisht të mos mbulojë qiejt mbi Ukrainë”, tha Zelensky në një fjalim mbajtur në facebook të premten vonë.
"Ne besojmë se vendet e NATO-s kanë krijuar një narrativë që mbyllja e qiejve mbi Ukrainën do të provokonte agresionin e drejtëpërdrejtë të Rusisë kundër NATO-s. Kjo është vetëhipnoza e atyre që janë të dobët, të pasigurtë brenda, pavarësisht se ata posedojnë armë shumë herë më të forta se ne”, tha ai.
Zelensky tha se udhëheqja e NATO-s: "I dha dritën jeshile për bombardime të mëtejshme të qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës, duke refuzuar të krijojë një zonë ndalim-fluturimi. Ju mund ta kishit mbyllur qiellin!"
Zelensky e përshkroi samitin e NATO-s ku u mor vendimi si, "një samit i dobët, konfuz, një samit që tregon se jo të gjithë e konsiderojnë luftën për liri si qëllimin numër një të Evropës".
“Për nëntë ditë ne kemi parë një luftë të ashpër – duke shkatërruar qytetet tona, duke bombarduar njerëzit tanë, fëmijët tanë, lagjet e banimit, kishat, shkollat, duke shkatërruar gjithçka që ka një jetë normale, jetë njerëzore”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas vuri në pikëpyetje se çfarë po mendonin anëtarët e NATO-s gjatë takimit të tyre: "Të gjithë njerëzit që do të vdesin nga kjo ditë do të vdesin gjithashtu për shkakun tuaj, për shkak të dobësisë suaj, për shkak të përçarjes suaj".
Zelensky, megjithatë, shprehu mirënjohjen e tij për vendet e NATO-s që kanë treguar mbështetje për Ukrainën: "Unë jam gjithashtu mirënjohës për miqtë e vendit tonë. Ka shumë vende që janë miqtë tanë në NATO”
Zelensky tha, pavarësisht mungesës së zonës së ndalim-fluturimit, ai është i sigurt se Ukraina do të ishte fitimtare: "Që nga dita e parë e pushtimit, unë jam i sigurt për fitoren. Dhe kështu ne nuk ndihemi vetëm, ne do të vazhdojmë të luftojmë, ne do të mbrojmë shtetin tonë, ne do ta çlirojmë tokën tonë”.
